Jehona e fitores së Erdoanit në median evropiane

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare për Legjislaturën e 27-të në Turqi zunë një vend të gjerë edhe në shtypin evropian.

999428
Jehona e fitores së Erdoanit në median evropiane

ANGLI

Media britanike BBC lajmin, që publikoi pas deklaratës së Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në lidhje me rezultatet zgjedhore, e postoi në faqe të parë me kryeartikullin “Erdoani shpalli fitoren me përfundimet jozyrtare”.

Gazeta “The Guardian” zgjedhjet në Turqi i ndoqi në kohë reale duke u mbështetur në lajmet e agjencisë Anadolli (AA) dhe kanalit TRT World. Pas publikimit të përfundimeve jozyrtare gazeta përdori titullin “Erdoani e shpalli fitoren, por opozita nuk e pranoi”.

Kurse uebsajti i televizionit “Sky News” përdori titullin “Erdoani fitoi zgjedhjet presidenciale në Turqi”.

AUSTRI

Gazeta “Kronen”, një nga gazetat më prestigjioze të vendit dhe e njohur për afrinë me të djathtën ekstreme, rezultatet zgjedhore në Turqi lexuesve të saj ua përcolli me titullin “Erdoani i fitoi zgjedhjet me 53%”.

Kurse gazeta “Der Standard” tërhoqi vëmendjen në pjesëmarrjen e madhe të zgjedhësve turq në zgjedhjet e të dielës, me një nivel të lartë 87%. Erdoan dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK PARTI) kryesoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, shkroi në lajmin e saj “Der Standard”.

Ndërsa gazeta e të djathtës liberale “Kurier” lajmin lidhur me përfundimin e zgjedhjeve e dha me titullin “Erdoani filloi të marrë urimet e para”.

GJERMANI

“Erdoani kryeson. Opozita akuzon për manipulime”, shkruan gazeta gjermania “Bild” në lajmin e saj për zgjedhjet.

Kurse revista “Der Spiegel” për lajmin në portalin e saj në internet preferoi titullin “Erdoani shpalli fitoren”.

Gazetat e tjera gjermane “Zeit” dhe “Frankfurter Allgeimene Zeitung” përdorën titujt “Erdoani shpalli fitoren e tij”.

FRANCË

Le Monde”, një nga gazeta më të njohura të Francës lajmin për zgjedhjet në Turqi e dha me titullin “Sipas rezultateve të pjesshme Erdoani kryeson, kurse opozita kundërshton”.

Transmetuesi publik “France Info” për lajmin që ka postuar në lidhje me zgjedhjet përdori titullin: “Turqi: Rexhep Tajip Erdoan pretendon se ka arritur fitoren në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, por opozita kundërshton rezultatet”.

SUEDI

Televizioni publik suedez “STV” lajmin e parë e dha me titullin “Erdoani drejt fitores”. Më pas televizioni “STV” njoftoi hapjen e 70% të kutive të votimit dhe tha: “Erdoani ka marrë 55% të votave, kurse Muharrem Inxhe ka fituar 29% të votave”.

Alftonbladet”, gazeta më e madhe e Suedisë në lajmin që publikoi me titullin “Erdoani afër fitores” njoftoi numërimin e gjysmës së votave dhe sipas rezultateve paraprake Erdoani kryeson me 55% të votave, kurse rivali më i afërt i tij, Muharrem Inxhe mbeti në 28%.

HUNGARI

Televizioni më i shikuar në Hungari “Hir TV” lajmin për zgjedhjet në Turqi e dha me titullin “Erdoani mund të fillojë qeverisjen”.

Edhe agjencia hungareze e lajmeve (MTI) në lajmin me titull “Erdoani deklaroi fitoren në zgjedhjet presidenciale” njoftoi se Erdoani e shpalli fitoren që në raundin e parë.

SPANJË

El Pais”, një nga gazetat më prestigjioze të Spanjës, shkroi se Erdoani, i cili e drejton vendin që nga viti 2002, arriti të zgjidhet përsëri.

Kurse gazeta “El Mundo” shkroi se Turqia e dha vendimin e saj, pavarësisht ngurrimit të opozitës për të njohur rezultatin zgjedhor, dhe Erdoani është zgjedhur president, duke marrë rreth 53% të votave.

GREQI

Gazeta “Proto Thema” përdori kryeartikullin “Fitorja e Erdoanit: Zgjidhet president në raundin e parë, merr edhe parlamentin”

Ditorja tjetër greke “Eleftheros Typos” zgjodhi titullin “Kutitë e votimit në Turqi flasin për fitoren e Erdoanit në raundin e parë”

Kurse gazeta “Kathimerini” njoftoi se Erdoani kryeson zgjedhjet në Turqi.

BULLGARI

Televizioni Kombëtar i Bullgarisë (BNT) rezultatet zgjedhore në Turqi i njoftoi në formën: “Presidenti Rexhep Tajip Erdoan drejt mandatit të dytë 5-vjeçar”.

HOLANDË

Gazeta “Algemeen Dagblad” përdori titullin “Në zgjedhjet në Turqi Erdoani edhe fitoi, edhe humbi”. Zgjedhjet presidenciale Erdoani i fitoi me lehtësi, por humbi shumicën në zgjedhjet parlamentare, shkruan gazeta holandeze.

BOSNJË-HERCEGOVINË, SERBI, KROACI, MALI I ZI

Gazeta më e lexuar e Bosnjë-Hercegovinës, “Dnevni Avaz” një vend të veçantë i kushtoi mesazhit të urimit që Kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjës-Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç i përcolli Erdoanit.

Kurse “Oslobodjenje”, një gazetë tjetër e rëndësishme e Bosnjë-Hercegovinës për zgjedhjet në Turqi përdori titullin “Erdoani shpalli fitoren”, dhe i kushtoi një vend të gjerë fjalimit të Presidentit Erdoan.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Serbisë “TANJUG” në një lajm që ka publikuar në faqen e saj të internetit shkruan se “Erdoani deklaroi fitoren në raundin e parë”.

Edhe “Dnevnik”, një nga portalet më të rëndësishme lajmeve në Kroaci, njoftoi lexuesit e vet mbi numërimin e më shumë se 90% të votave dhe përcolli me detaje fjalimin e Erdoanit.

Zgjedhjet në Turqi i ndoqi nga afër edhe portali zyrtar i lajmeve të Malit të Zi, “RTCG”, i cili përdori titullin: “Partia e Erdoanit i mbylli e para zgjedhjet”.

BELGJIKË

Le Soir”, një nga gazetat më prestigjioze të Belgjikës, për suksesin zgjedhor të Presidentit Rexhep Tajip Erdoan përdori titullin “Erdoani e fitoi bastin”.

DANIMARKË

Politiken”, një gazetë me traditë dhe me pikëpamje të majta në Danimarkë, shkroi se “Erdoani vetëm në fund të një raundi doli me fitore edhe nga zgjedhjet presidenciale, edhe nga zgjedhjet parlamentare”.

Kurse gazeta “Jyllands Posten” lajmin për zgjedhjet në Turqi e postoi me komentin “Erdoani fitoi zgjedhjet, që u mbajtën të dielën për një presidencë më të fuqishme”.

 

Rezultatet e detajuara të zgjedhjeve në Turqi i gjeni duke klikuar këtu:



Lajme të ngjashme