Siri - OKB e shqetësuar për sulmet ajrore në Idlib

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres tha se ishte thellësisht i shqetësuar nga sulmet ajrore që bëhen në qytetin Idlib të Sirisë dhe viktimat civile, përfshi edhe fëmijë, gjatë këtyre sulmeve.

Siri - OKB e shqetësuar për sulmet ajrore në Idlib

Në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e Zëdhënësit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së thuhet se, sipas marrëveshjes së arritur në Astana të Kazakistanit, Idlibi është një zonë e ç’tensionuar dhe kërkohet nga vendet garantuese të kësaj marrëveshjeje Rusia, Turqia dhe Irani që të ushtrojnë presion mbi palët për të respektuar marrëveshjen.

Komunikata njofton se në datat 7 dhe 8 qershor në fshatin Zerdene, që ndodhet në veri të Idlibit, janë kryer sulme ajrore, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres është thellësisht i shqetësuar për sulmet ajrore në Idlib, ku 60% të popullsisë e përbëjnë civilët e zhvendosur për shkak të konflikteve, dhe për humbjet civile, përfshi edhe fëmijë në këto sulme.

Guterres u bën thirrje palëve që t'u japin menjëherë fund sulmeve ajrore dhe luftimeve në Idlib dhe të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile në qytet.

Sipas raportimeve, në sulmet ajrore të avionëve luftarakë të regjimit sirian kundër një spitali fëmijësh dhe një vendbanimi civil në zonën e ç’tensionuar Idlib të Sirisë kishin humbur jetën 17 civilë.

Kurse në sulmet ajrore që ishin realizuar të enjten në mbrëmje kundër vendbanimeve civile në fshatin Zerdene të Idlibit kishin humbur jetën të paktën 42 civilë.

Provinca e Idlibit, që ndodhet në pjesën veriperëndimore të Sirisë dhe kontrollohet nga kundërshtarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit, ishte shpallur "zonë e ç’tensionuar" në takimin e Astanës, mbajtur më 4-5 maj 2017. Megjithatë, regjimi dhe herë pas here Rusia vazhdojnë të bëjnë sulme ajrore në këtë zonë.

 


Lajme të ngjashme