Siri – Të paktën 20 të vrarë në një sulm ajror në Idlib

Në sulmet ajrore në fshatin Zerdene, që ndodhet brenda "zonës së çtensionimit" në Idlib të Sirisë, kanë humbur jetën të paktën 20 civilë dhe janë plagosur 80 të tjerë.

Siri – Të paktën 20 të vrarë në një sulm ajror në Idlib

Të paktën 20 civilë kanë mbetur të vdekur dhe 80 të tjerë të plagosur në sulmin ajror në provincën Idlib të Sirisë.

Drejtori i Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardha) në Idlib, Mustafa Haxhi Jusuf tha se natën e kaluar janë kryer sulme ajrore në fshatin Zerdene, që ndodhet në pjesën periferike në veri të Idlibit.

Ai tha se në mesin e të plagosurve janë edhe 5 anëtarë të Mbrojtjes Civile. "Të paktën 20 civilë kanë humbur jetën dhe 80 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore të kryera në afërsi të një xhamie dhe një tregu në fshatin Zerdene të Idlibit", tha Haxhi Jusuf.

Ndërkohë në një deklaratë të qendrës së radarit të opozitarëve, e cila përdoret për vëzhgimin e avionëve, thuhet se "sulmet janë kryer nga avionë luftarakë të tipit SU-24 dhe që janë ngritur nga Latakia".

Gjithashtu bëhet e ditur se të plagosurit janë dërguar në spitalet përreth dhe se ekipet e Mbrojtjes Civile vazhdojnë punimet për kërkim dhe shpëtim.

Idlibi ndodhet në veriperëndim të Sirisë dhe sot kontrollohet nga opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit. Në takimin e mbajtur më 4-5 maj 2017 në Astana të Kazakistanit provinca u shpall "zonë çtensionimi".

Por pavarësisht kësaj, regjimi sirian dhe herë pas here edhe Rusia vazhdojnë të ndërmarrin sulme ajrore në këtë rajon.



Lajme të ngjashme