GJEDNJ-ja shpall fajtore Rumaninë dhe Lituaninë, lejuan CIA-n të torturojë dy të dyshuar

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) arriti të enjten në përfundimin se Lituania dhe Rumania kanë shkelur të drejtat e dy të dyshuarve si terroristë të Al-Kaidës pasi lejuan që CIA t’i torturonte ata në territoret e tyre...

GJEDNJ-ja shpall fajtore Rumaninë dhe Lituaninë, lejuan CIA-n të torturojë dy të dyshuar

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) arriti të enjten në përfundimin se Lituania dhe Rumania kanë shkelur të drejtat e dy të dyshuarve si terroristë të Al-Kaidës pasi lejuan që CIA t’i torturonte ata në territoret e tyre.

Abu Zubaydah dhe Abd al-Rahim al-Nashiri, të kapur pas sulmeve të shtatorit 2001, tani ndodhen në burgun e Guantanamos. Por më parë ata kanë kaluar nëpër burgjet sekrete të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së, e cila kishte hapur të tillë edhe në Evropë.

GJEDNJ-ja deklaroi se si Lituania ashtu dhe Rumania kanë shkelur me veprimin e tyre ligjet evropiane, të cilat ndalojnë torturën, duke i urdhëruar këto dy vende që t’i paguajnë secilit prej të dyshuarve nga 100.000 euro dëmshpërblim për trajtimin çnjerëzor që ata kanë pësuar.

Ekzistenca e të ashtuquajturave “zona të errëta” të CIA-s për marrjen në pyetje mbi bazën e politikës sekrete, e cila njihet si “Rendition”, u mbajt e fshehtë për vite të tëra pas ngjarjeve të 11 shtatorit.

Bukureshti zyrtar refuzonte kategorikisht që CIA të kishte ndërtuar qendra sekrete të burgimit në territoret e Rumanisë.

Amrit Singh, avokat i Al-Nashirit, e përshkroi vendimin e gjykatës me seli në Strasburg të Francës si “një qortim të ashpër ndaj përpjekjeve të turpshme rumune”.

Në vitin 2014, GJEDNJ-ja pati marrë një vendim të ngjashëm edhe për Poloninë.



Lajme të ngjashme