Rusia shprehet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me ShBA

Shefi i diplomacisë ruse Sergey Lavrov deklaroi se normalizimi i marrëdhënieve ruso-amerikane është i mundur nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) japin propozim konkret për këtë.

Rusia shprehet e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me ShBA

Lavrov në forumin ndërkombëtar në Moskë tha se Rusia është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA-të.

“Ne nuk dëshirojmë të kemi marrëdhënie konflikti me cilin do vend, e as me SHBA-të. Kohë pas kohe pranojmë sinjale nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe zyrtarët tjerë nga Washingtoni për domosdoshmërinë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve tona. Ne jemi të gatshëm për këtë, por presim ofertë konkrete”, porositi Lavrov.

Ministri rus i Punëve të Jashtme po ashtu theksoi se ultimatumet dhe imponimi i zgjidhjeve nuk mund të tejkalojnë krizat në botë.

“Problemi bërthamor në Gadishullin Korean, marrëveshja për programin bërthamor iranian, përleshjet e brendshme në Ukrainë ose terrorizmi në Siri nuk mund të zgjidhen me ultimatum dhe çdo tentim për imponim të zgjidhjes është i gjykuar me dështim”, konstatoi Lavrov.

Paralelisht me këtë, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë njoftoi se Lavrov do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Korenë e Veriut dhe mbi krizën në këtë rajon do të bisedojë me zyrtarët më të lartë të vendit. (AA)



Lajme të ngjashme