Gjermania dhe Franca të vendosura për të ruajtur marrëveshjen bërthamore me Iranin

Berlini dhe Parisi theksuan të hënën se do t’u qëndrojnë angazhimeve pavarësisht kërcënimit të Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Teheranin...

Gjermania dhe Franca të vendosura për të ruajtur marrëveshjen bërthamore me Iranin

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas dhe homologu i tij francez, Jean-Yves Le Drian, deklaruan të hënën vonë se vendet e tyre do t’u qëndrojnë angazhimeve pavarësisht kërcënimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

Heiko Maas dhe Jean-Yves Le Drian organizuan një konferencë të përbashkët shtypi në kryeqytetin Berlin të Gjermanisë.

“Dështimi i këtij akordi, nëse hiqet dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin, do të shkaktojë një përshkallëzim. Ne jemi të shqetësuar nga mundësia e kthimit pas në periudhën përpara vitit 2013 dhe kjo s’do të jetë në dobi të askujt”, deklaroi shefi i diplomacisë gjermane.

Ai theksoi se marrëveshja bërthamore, nënshkruar në vitin 2015 me Iranin, e ka bërë botën më të sigurt.

“Ne s’shohim një alternativë të përshtatshme karshi mekanizmave kufizuese dhe kontrolluese, që marrëveshja ka vendosur mbi programin bërthamor iranian”, shtoi Maas.

Kurse Le Drian vuri në pah vendosmërinë e vendit të tij për të ruajtur marrëveshjen bërthamore me Iranin.

“Marrëveshja në fjalë është rruga e drejtë për të penguar Iranin që të prodhojë bombë atomike”, vlerësoi kryediplomati francez duke nënvizuar se “ky akord duhet të vazhdohet në mënyrë të pavarur nga vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), njohur më gjerësisht si marrëveshja bërthamore me Iranin, u nënshkrua në muajin korrik të vitit 2015 ndërmjet Iranit, Bashkimit Evropian dhe grupit P5+1 (SHBA, Rusi, Kinë, Britani e Madhe, Francë dhe Gjermani).



Lajme të ngjashme