SHBA – Sanders: Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretenduan të martën, sikurse dhe Izraeli një ditë më parë, se Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore...

961754
SHBA – Sanders: Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pretenduan të martën, sikurse dhe Izraeli një ditë më parë, se Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore.

“Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore duke u përpjekur që t’ia fshehë këtë botës, por nuk ia ka arritur”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders.

Ajo i bëri këto komente në një deklaratë me shkrim rreth konferencës së djeshme për shtyp të Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që njoftoi se vendi i tij zotëronte informacione rreth programit bërthamor iranian.

Sanders tha se Uashingtoni është në dijeni të programit bërthamor iranian dhe se po ndjekin nga afër çështjen e informacioneve dhe dokumenteve të pretenduara nga Izraeli.

“Kjo situatë vërteton atë që SHBA-ja është e vetëdijshme prej shumë kohësh: Irani po vazhdon një program dinamik dhe sekret të armëve bërthamore. Këtë është përpjekur ta fshehë nga bota dhe populli i tij, por nuk ia ka arritur”, saktësoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

“Regjimi iranian ka treguar se do të përdorë armë shkatërruese kundër fqinjëve të tij dhe vendeve të tjera. Kjo është arsyeja përse Irani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore”, komentoi Sanders.

Në një prononcim një ditë më parë nga Tel-Avivi në lidhje me programin bërthamor iranian, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendoi se inteligjenca izraelite kishte siguruar “55.000 faqe me dokumente sekrete të arkivuara në 183 CD rreth programit bërthamor iranian”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, përmes një komunikate me shkrim rreth pretendimeve të Netanyahut për Iranin, theksoi gjithashtu se dokumentet në fjalë tregonin që Teherani ka vazhduar për vite me radhë programin e armëve bërthamore.

“Irani ka vazhduar zhvillimin e armëve bërthamore dhe sistemit raketor. Deri më sot, Irani ka fshehur nga bota dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) një arkiv të madh atomik”, u shpreh Pompeo.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, pritet të njoftojë më datë 12 maj vendimin e tij nëse SHBA-ja do të tërhiqet apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin.



Lajme të ngjashme