Panmunjom – Mesazhe pozitive nga samiti historik Kim-Moon

Takimi historik ndërmjet udhëheqësit koreanoverior, Kim Jong-Un dhe Presidentit koreanojugor, Moon Jae-In, filloi me mesazhe pozitive. Dy liderët u takuan mëngjesin e së premtes në qytezën e armëpushimit, Panmunjom...

959833
Panmunjom – Mesazhe pozitive nga samiti historik Kim-Moon
kore.jpg
K.G. KORE
korea.jpg
kore.jpg
gunay kuzey kore liderler5.jpg

Takimi historik ndërmjet udhëheqësit koreanoverior, Kim Jong-Un dhe Presidentit koreanojugor, Moon Jae-In, filloi me mesazhe pozitive.

Dy liderët u takuan mëngjesin e së premtes në qytezën e armëpushimit, Panmunjom.

Në një moment plot simbolikë, ata shtrënguan duart në të dyja anët e kufirit, pasi Kim Jong-Un e ftoi Moon Jae-In që për pak çaste të kalonte kufirin drejt Veriut. Ndryshimi i situatës është kolosal, sepse vetëm pak muaj më parë diskursi mes vendeve ishte luftarak, ndërsa tani ata mund të diskutojnë paqen dhe arsenalin bërthamor.

Pjesa më e madhe e pikave të samitit janë akorduar mes palëve, edhe pse shumë ekspertë janë skeptikë për entuziazmin e Phenianit për një marrëveshje. Pas ceremonive zyrtare, dy liderët hynë në Shtëpinë e Paqes në Panmunjom, një ndërtesë ushtarake në zonën e çmilitarizuar në kufi, ku lideri koreanoverior firmosi në Librin e Miqve.

“Një histori e re fillon nga ky çast këtu, në pikënisjen historike të një periudhe paqësore!”, ishte shënimi i tij.

E pranishme në samit, i cili nisi rreth 15 minuta më herët se ç’ishte parashikuar, ishte gjithashtu Kim Yo-Jong, motra e udhëheqësit koreanoverior, që ai kishte dërguar gjatë shkurtit si përfaqësuese të posaçme në Korenë e Jugut.

Teksa të pranishëm ishin ende gazetarët, Kim Jong-Un theksoi se do të bisedojë në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe të drejtë me presidentin koreanojugor, me shpresën për të arritur një rezultat të mirë nga samiti.

“Uroj që ky (samit), në vend të përfundimeve të pazbatueshme si ato të së kaluarës, të prodhojë një shans që të ecim së bashku dorë për dorë duke parë me vendosmëri drejt së ardhmes”, tha Kim duke mos fshehur emocionet dhe falënderuar homologun Moon që pranoi ta takojë atë në “këtë vend historik”.

Ndërsa presidenti koreanojugor e falënderoi liderin koreanoverior që pranoi organizimin e këtij samiti nga ana e Seulit.

“Presidenti Kim kaloi vijën e demarkacionit ushtarak. Kështu, Panmunjoni u bë simbol i paqes dhe jo i një ndarjeje”, komentoi Moon.

Ai tërhoqi vëmendjen se “veshët dhe sytë e botës” janë kthyer nga Panmunjoni duke nënvizuar se jo vetëm qytetarët e vendeve përtej detit, por edhe popujt e dy Koreve presin shumë nga ky samit.

Moon vuri në pah se aspiron që në këtë takim të arrijnë një marrëveshje, për t’u ofruar një dhuratë të mrekullueshme si popujve të tyre ashtu dhe të gjithë njerëzve që urojnë paqen në botë.

Pas takimit, Kim hipi në një limuzinë të zezë dhe udhëtoi drejt pjesës veriore të Panmunjomit. Dy liderët e vazhduan takimin mes tyre pas drekës.

Ata u takuan sërish mbas drekës për të mbjellë një fidan pishe me dhe nga të dyja vendet. Pranë vendit ku u mboll fidani, u vendos edhe një gur monumental me mbishkrimin: “Këtu mbjellim paqen dhe prosperitetin.”

Dy liderët bënë edhe një ecje të shkurtër për të biseduar privatisht përpara se të informonin opinionin publik botëror mbi rezultatet e samitit përmes një konference të përbashkët shtypi. Samiti përfundoi me një darkë të shtruar nga presidenti koreanojugor.

Siç ishte njoftuar më herë nga autoritetet e Seulit, në takimin Kim-Moon u shqyrtuan ribashkimi i gadishullit Korean, normalizimi i marrëdhënieve ndërkoreane dhe denuklearizimi.



Lajme të ngjashme