Seuli: Samiti ndërkorean, mundësi që Pheniani të konfirmojë zyrtarisht premtimet e denuklearizimit

Shefi i diplomacisë koreanojugore dekaroi se samiti ndërkorean, planifikuar të mbahet ditën e premte, do t’i ofrojë Phenianit mundësinë për të konfirmuar zyrtarisht premtimet e tij në lidhje me denuklearizimin e Koresë së Veriut...

Seuli: Samiti ndërkorean, mundësi që Pheniani të konfirmojë zyrtarisht premtimet e denuklearizimit

Ministri koreanojugor i Punëve të Jashtme, Kang Kyung-Wha, u shpreh të mërkurën se samiti ndërmjet liderëve të dy Koreve, planifikuar të mbahet ditën e premte, do t’i ofrojë Phenianit mundësinë për të konfirmuar zyrtarisht premtimet e tij në lidhje me denuklearizimin e vendit.

“Presim që samiti ndërmjet Koresë së Jugut dhe Koresë së Veriut të rezultojë një platformë, ku denuklearizimi do të diskutohet haptazi dhe Pheniani do të konfirmojë besnikërinë e tij (në lidhje me angazhimet për këtë çështje)”, deklaroi ministri Kang gjatë një aktiviteti të organizuar nga Shoqata Koreane e Paqes, sipas një lajmi të agjencisë koreanojugore të lajmeve “Yonhap”.

Në fund të aktivitetit, shefi i diplomacisë koreanojugore iu përgjigj pa kursim pyetjeve të gazetarëve rreth agjendës së samitit në fjalë.

Pikat kryesore të agjendës së samitit – sqaroi ai – janë padyshim hapat që do të bëhen për të ardhmen e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut dhe një traktat paqeje për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës së viteve 1950-1953; por në tryezë s’do të mungojnë as masat për reduktimin e tensioneve ushtarake, zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore dhe bashkëpunimit ndërkorean.

Kang theksoi se samiti ndërkorean do të jetë një pikënisje për punën komplekse të denuklerazimit të gadishullit Korean.

Sipas tij, ky takim në Panmunjom, “qyteza e armëpushimit”, pritet t’i hapë rrugë një samiti edhe më të shumëpritur, disa javë më vonë, midis Presidentit koreanoverior, Kim Jong-Un dhe atij amerikan, Donald Trump.

“Shpresojmë që Veriu dhe Jugu të gjejnë konsensusin për mënyrën se si do të themelohet një regjim i qëndrueshëm paqeje, i cili do t’i japë fund paqëndrueshmërisë së regjimit aktual të armëpushimit. Vendosja e paqes, përveçse do të parandalojë konfliktet e mundshme ushtarake në gadishullin Korean, do të mundësojë gjithashtu bashkëpunimin ekonomik në favor të rritjes së mirëqenies reciproke të dy Koreve”, shtoi ministri koreanojugor i Punëve të Jashtme.

Ai bëri me dije po ashtu se “ka disa sinjale optimiste” mbi mundësinë e organizimit të samiteve shtesë të njëpasnjëshme ndërmjet Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, liderit koreanoverior, Kim Jong-Un dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke nënvizuar se pas tyre ka gjasa që të ngrihet në rend të ditës edhe një samit tresh.

I pyetur mbi mundësinë e dështimit të samitit të së premtes, ministri Kang tha se shpreson që udhëheqësi i Phenianit të jetë i vetëdijshëm se vendi i tij s’mund të avancojë në rrugën e zhvillimit ekonomik nën kushtet e sanksioneve ndërkombëtare aktuale.

“Nëse palët ulen përreth tavolinës së negociatave me këtë vetëdije, atëherë marrëveshje mund të arrihen edhe në shumë çështje të tjera”, përfundoi ai.

Moon Jae-In dhe Kim Jong-Un do të takohen më datë 27 prill në “Shtëpinë e Paqes”, në qytezën kufitare të Panmunjomit.

Disa javë pas samitit Moon-Kim, një tjetër takim i shumëpritur i liderit koreanoverior, këtë herë me presidentin amerikan, planifikohet të mbahet deri në muajin qershor.



Lajme të ngjashme