Bisedë telefonike Macron-Sisi, në fokus zgjidhja politike e konfliktit sirian

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, nënvizuan të dielën, gjatë një bisede telefonike, nevojën për një zgjidhje politike në Siri, si e vetmja zgjidhje për t’u garantuar sirianëve kushtet për sovranitet afatgjatë...

Bisedë telefonike Macron-Sisi, në fokus zgjidhja politike e konfliktit sirian

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, nënvizuan të dielën, gjatë një bisede telefonike, nevojën për një zgjidhje politike në Siri duke e parë si të vetmen zgjidhje për t’i garantuar popullit sirian kushtet për sovranitet afatgjatë.

“Dy drejtuesit nënvizuan nevojën për një zgjidhje politike në Siri dhe rëndësinë e përfshirjes së vendeve arabe dhe anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, sipas një komunikate të Presidencës egjiptiane, e cila thekson se biseda telefonike është realizuar me kërkesë të palës franceze.

“Kjo është e vetmja mënyrë për t’i garantuar popullit sirian kushtet për sovranitet afatgjatë”, vijon komunikata.

Ata rikonfirmuan gjithashtu vullnetin e tyre për të vazhduar punën e përbashkët për sa i përket luftës kundër grupeve terroriste.

Në fokus të bisedës telefonike Macron-Sisi ishin edhe objektivat e operacionit të përbashkët rreth një javë më parë të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Francës në Siri, si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike në këtë vend.

“Macron nënvizoi se operacioni është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare duke qenë se u ndërmor pas përdorimit të armëve kimike”, shkruhet në komunikatën e Presidencës egjiptiane.

Ndërsa Abdel Fattah el-Sisi ritheksoi qëndrimin e pandryshuar të vendit të tij kundër përdorimit të armëve të ndaluara në territoret siriane duke kërkuar një hetim transparent të standardeve ndërkombëtare në lidhje me këtë çështje.

“Egjipti do të marrë pjesë në konferencën për mobilizimin kundër financimit të terrorizmit, që do të zhvillohet në Paris më 25-26 prill”, njoftohet në fund të komunikatës në fjalë.



Lajme të ngjashme