Kore e Veriut – Kim Jong-Un njofton ndërprerjen e testeve bërthamore dhe balistike

Koreja e Veriut njoftoi se do të ndërpresë testet bërthamore dhe të raketave balistike ndërkontinentale, një hap ky që vjen përpara samiteve të Phenianit me Seulin dhe Uashingtonin...

Kore e Veriut – Kim Jong-Un njofton ndërprerjen e testeve bërthamore dhe balistike

Agjencia koreanoveriore e lajmeve, “KCNA”, bëri me dije të shtunën se udhëheqësi koreanoverior, Kim Jong-Un, do të ndërpresë testet bërthamore, lëshimin e raketave ndërkontinentale dhe se do të mbyllë qendrën e provave bërthamore.

“Duke nisur nga 21 prilli, Koreja e Veriut do të ndërpresë testet bërthamore dhe lëshimet e raketave balistike ndërkontinentale”, shkruan KCNA-ja.

“Koreja e Veriut do të mbyllë një qendër të provave bërthamore në pjesën veriore të vendit për të provuar angazhimin e saj për sa i takon ndërprerjes së këtyre testeve bërthamore”, theksoi e njëjta agjenci duke cituar drejtuesin koreanoverior.

Ky njoftim i jashtëzakonshëm vjen të paktën një javë para samitit të parashikuar mes Phenianit dhe Seulit, i cili i paraprin një samiti historik që do të zhvillohet mes Kim Jong-Un dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, në fillim të qershorit.

“Meqenëse karakteri operativ i armëve bërthamore është verifikuar, tashmë nuk është më e nevojshme për ne që të ndërmarrim teste bërthamore apo të lëshojmë raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi ose ICBM (raketa balistike ndërkontinentale)”, theksoi Kim Jong-Un në një takim të Komitetit Qendror të partisë së tij në pushtet.

“Qendrat e testeve bërthamore të Veriut e kanë përmbushur misionin e tyre”, shtoi ai.

Nën drejtimin e Kim Jong-Un, Pheniani ka bërë progres të shpejtë në programet e armatimeve, objekt i sanksioneve të rënda nga ana e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe Koresë së Jugut.

Nga ana tjetër, Presidenti amerikan, Donald Trump, përshëndeti njoftimin e bërë nga Kim Jong-Un për ndërprerjen e testeve bërthamore koreanoveriore duke e vlerësuar atë si një lajmi të mirë për Korenë e Veriut dhe mbarë botën.

“Progres i madh! Po pres me padurim të marrë pjesë në samitin tonë!”, shtoi Trump në një postim në rrjetin social “Twitter” duke përmendur samitin e tij me drejtuesin koreanoverior.

Edhe Koreja e Jugut përshëndeti vendimin e udhëheqësit koreanoverior, Kim Jong-Un, për t’i dhënë fund testeve bërthamore dhe balistike.

“Vendimi i Koresë së Veriut përbën një progres domethënës për denuklearizimin e gadishullit Korean, që bota pret”, deklaroi Presidenca koreanojugore përmes një komunikate të shkruar.

Ajo përshëndeti mjedisin shumë pozitiv, që krijoi vendimi i Phenianit për samitet e ardhshme ndërmjet dy Koreve dhe Koresë së Veriut e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



Lajme të ngjashme