Arabia Saudite e gatshme të dërgojë trupa në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Adil al-Xhubair tha se ata janë të gatshëm të dërgojnë trupa në Siri si pjesë e një koalicioni të gjerë nëse kjo do të kërkohej.

Arabia Saudite e gatshme të dërgojë trupa në Siri

Këtë deklaratë Al-Xhubairi e bëri gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, të cilin e priti në kryeqytetin e vendit, Riad.

''Ne po flasim për dërgimin e trupave në Siri nga Koalicioni Ushtarak Islam Kundër Terrorizmit'', tha Xhubair.

Edhe gazeta amerikane “Wall Street Journal” (WSJ) kishte shkruar se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili kërkon tërheqjen e Amerikës nga Siria, vazhdon kontaktet për zëvendësimin e trupave amerikane në verilindje të Sirisë me ushtarë të Egjiptit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Katarit.

Një ditë pasi ShBA-Britania e Madhe dhe Franca organizuan (7 prill 2018) një sulm me raketa ndaj qeverisë siriane, u mbajt takimi i Ligës Arabe.

Në fjalën që kishte mbajtur këtu Xhubairi kishte thënë se Liga Arabe e kishte dënuar përdorimin e armëve kimike nga qeveria siriane.

Megjithatë, në komunikatën përfundimtare të samitit ishte bërë thirrje për “një hetim ndërkombëtar në lidhje me përdorimin e armëve kimike në Siri në kuadër të kryerjes së krimit”, pa iu referuar qeverise së Sirisë.

Një ekip nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) ndodhet në Siri për të hetuar akuzat se Damasku organizoi një sulm kimik në qytezën Duma, pjesë e Gutës Lindore afër Damaskut.



Lajme të ngjashme