Gabriel: Operacioni i Turqisë në Afrin, një mesazh për ShBA-në

Për të mos qenë e varur nga Perëndimi Turqia është e gatshme të paguajë një çmim të lartë për ofensivën e saj në Afrin të Sirisë, shkruan ish-ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel në një artikull për “Der Tagesspiegel”.

Gabriel: Operacioni i Turqisë në Afrin, një mesazh për ShBA-në

Ish-ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel thotë se Turqia nëpërmjet operacionit “Dega e Ullirit” në rajonin Afrin të Sirisë u ka dhënë Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) mesazhin se në rajon ka të drejtë fjale edhe ajo dhe se nuk do të lejojë krijimin në rajon të një strukture që do të ishte nën kontrollin e kurdëve.

Gabriel ka shkruar një artikull me titull “Turqia dhe Perëndimi pas Afrinit, Afrini një mesazh për ShBA-në”, botuar në gazetën “Der Tagesspiegel”, ku shkruan se Turqia për t’u dhënë një mesazh të tillë Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dërgoi në Siri trupat e saj tokësore dhe realizoi një nga operacionet më të mëdha ajrore në historinë e saj duke angazhuar rreth gjysmën e kapaciteteve të forcave ajrore.

"Për të mos qenë e varur nga Perëndimi, Turqia tani është e gatshme të paguajë një kosto të lartë për operacionin që po organizon në rajonet kurde të Sirisë”,- komenton Gabriel.

"Ndërhyrja ushtarake në Afrin është një mesazh i qartë në adresë të ShBA-së: regjimi që do të vendoset pas luftës në Siri nuk duhet të realizohet pa miratimin e Turqisë dhe Turqia nuk do të pranonte në asnjë mënyrë ndonjë strukturë të krijuar nën kontrollin kurd", shkruan Gabriel dhe e vijon kështu artikullin e tij: “Aktiviteti i YPG dhe PYD (derivatet siriane të organizatës terroriste separatiste PKK) ashtu si në ShBA, edhe në vendet evropiane nuk është i ndaluar si organizata terroriste, por Turqia dhe shumë vëzhgues ndërkombëtarë janë të mendimit se ky dallim ndërmjet organizatës terroriste PKK dhe YPG/PYD është mjaft artificial.

 

Marrëdhënia midis PKK dhe YPG nuk është shumë e afërt vetëm ideologjikisht dhe simbolikisht. Duhet të vazhdohet të supozohet se YPG dhe PYD ndodhen nën udhëheqjen strategjike të PKK-së, por kanë një liri operacionale relativisht më të madhe, shprehet ish-shefi i diplomacisë gjermane.

ShBA-ja e provokoi Turqinë duke armatosur YPG dhe PYD në kuadër të luftës kundër organizatës terroriste DAESH dhe duke lejuar një strukturim kurd në veri të Sirisë, por për Ankaranë kjo situatë ka qenë e papranueshme dhe si rrjedhim përpjekja ushtarake (turke) do të vazhdojë, shton Gabriel.

Turqia nuk do që të jetë e varur nga Perëndimi, kështu që ajo nuk ka frikë nga pasojat e një krize të mundshme gjeopolitike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), vlerëson ai.

“Me sa duket Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose e vlerësojnë konfliktin me Turqinë si të menaxhueshëm dhe të kufizuar në kohë ose harrojnë planin gjeostrategjik të Turqisë. Vlerësimi i parë mund të jetë një gabim. I dyti do të kishte pasoja katastrofike, veçanërisht për ne evropianët”, komenton Gabriel.

Për të parandaluar çdo pasojë të keqe Gabrieli është i mendimit se të gjitha vendet evropiane duhet të zhvillojnë një strategji të re në marrëdhëniet me Turqinë.

Gabrieli thotë se Turqia nuk do të lejojë asnjëherë një shtet të mundshëm kurd që do të themelohet me superioritetin e organizatave terroriste dhe nëse do të jetë e nevojshme do ta vazhdojë përpjekjen e saj kundër këtyre organizatave terroriste me tolerancën e Rusisë, Iranit dhe Sirisë, dhe nga kjo do të dilnin të fituara Moska me Damaskun.

"Prandaj, interesimi ynë do të jetë vazhdimi i përfshirjes së Turqisë në aspektin gjeopolitik”, përfundon Gabriel.

 


Lajme të ngjashme