SHBA – Këshilltari i ri i Trumpit për Sigurinë Kombëtare pohon: YPG-ja e lidhur me PKK-në

John Bolton, i emëruar të enjten nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, si këshilltar i tij i ri për Sigurinë Kombëtare, ka pohuar rreth 10 ditë më parë se PYD/YPG-ja është qenësisht e lidhur me organizatën separatiste terroriste PKK...

SHBA – Këshilltari i ri i Trumpit për Sigurinë Kombëtare pohon: YPG-ja e lidhur me PKK-në

John Bolton, i emëruar të enjten nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si këshilltar i tij i ri për Sigurinë Kombëtare, ka pohuar rreth 10 ditë më parë se PYD/YPG-ja është qenësisht e lidhur me organizatën separatiste terroriste PKK.

I ftuar më datë 14 mars në televizionin “Fox News”, Bolton, ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara nga viti 2005 deri në 2006-n, ka bërë deklarata tronditëse duke vlerësuar mundësinë e zgjerimit drejt Menbixhit dhe zonave lindore të lumit Eufrat të operacionit “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe distriktin veriperëndimor Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Ai tha se bashkëpunimi i SHBA-së me PKK/PYD-YPG dhe jo me Turqinë aleate në NATO sa i përket luftës kundër organizatës terroriste DAESH ka të bëjë me mungesën e një strategjie të qartë dhe adekuate të Uashingtonit.

Duke shpjeguar se rrethanat e luftës në Siri janë mjaft të ndërlikuara, John Bolton theksoi se kaosi në këtë vend s’ka marrë fund pavarësisht se DAESH-i është eliminuar dhe pikërisht kjo situatë ka sjellë me vete mundësinë e përplasjes së Turqisë me SHBA-në.

Këshilltari i ri Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare deklaroi se Uashingtoni nuk ka një strategji për të shmangur gjasat që vendi i tij të mbetet në mes, në një operacion të mundshëm të Turqisë kundër terroristëve anëtarë të PKK/PYD-YPG së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I pyetur për grupet e mbështetura nga SHBA-ja në Siri, të tilla si ai terrorist PKK/PYD-YPG, Bolton është përgjigjur me këto fjalë: “Mendoj se kjo është pjesë e strategjisë joadekuate të ish-presidentit Barack Obama, vazhduar për fat të keq edhe nga administrata Trump.”

Por gabimi ynë – vijoi ai – është se nuk kemi marrë në konsideratë që PYD/YPG-ja është zgjatim i PKK-së, një organizatë terroriste marksiste me të cilën Turqia lufton prej dhjetëra vitesh.

“Vetëm një minutë, mos jeni duke thënë që ne mbështesim një organizatë terroriste marksiste? A e dimë ne këtë?”, pyeti drejtuesi i emisionit në vijim.

Në përgjigje të kësaj pyetjeje, Bolton nënvizoi se organizata e identifikon veten si marksiste dhe, ç’është e vërteta, SHBA-ja nuk e ka menduar mjaftueshëm këtë gjë teksa përcaktonte strategjinë kundër DAESH-it.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të enjten me një postim në “Twitter” largimin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Herbert Raymond McMaster dhe zëvendësimin e tij nga ish-ambasadori i SHBA-së në OKB, John Bolton.

“Jam i lumtur të njoftoj se duke nisur nga 9 prilli 2018, John Bolton do të jetë këshilltari im i ri i Sigurisë Kombëtare”, theksoi Trump duke bërë me dije këtë ndryshim tjetër të ekipit të tij pas një sërë shkarkimesh dhe dorëheqjesh këto muajt e fundit.



Lajme të ngjashme