Shefja e Policisë belge, Catherine De Bolle, gruaja e parë në krye të Europolit

Catherine De Bolle do të marrë më 1 maj postin e drejtueses së Europolit, Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit, njoftoi sot Këshilli i Bashkimit Evropian, i përfaqësuar nga 28 shtetet anëtare...

Shefja e Policisë belge, Catherine De Bolle, gruaja e parë në krye të Europolit

Catherine De Bolle do të marrë më 1 maj postin e drejtueses së Europolit, Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit, njoftoi sot Këshilli i Bashkimit Evropian, i përfaqësuar nga 28 shtetet anëtare.

Kjo është hera e parë që një grua merr këtë funksion.

Bolle, në krye të Policisë Federale të Belgjikës u emërua për një mandat katërvjeçar dhe do të pasojë drejtorin ekzekutiv aktual të Europolit, britanikun Rob Wainwright.

Kandidatura e komisares belge ra në sy në muajin dhjetor 2017, në mesin e një liste kandidatësh që u miratua nga 28 shtetet e BE-së në nivel ambasadorësh.

Zyrtarizimi i këtij emërimi u bë publik të enjten në nivel ministror, me rastin e një takimi në Bruksel të ministrave të Brendshëm të Unionit.

Pas përzgjedhjes së kandidaturës së saj, Bolle mori edhe opinionin pozitiv nga një komision i Parlamentit Evropian.

Në një postim në “Twitter”, ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, uroi Catherine De Bolle, gruan e parë në krye të Europolit.

Ai zbuloi rastësinë e një emërimi të finalizuar pikërisht më 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Themeluar në vitin 1998, Europoli operon me rreth 1.000 agjentë dhe personel administrativ në fushën e grumbullimit të informacioneve, fuqizimit të inteligjencës, luftës kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit, me seli në Hagë të Holandës, mund të veprojë vetëm me miratim të shteteve anëtare.



Lajme të ngjashme