SHBA – Shtyhet për herë të tretë votimi i projektrezolutës për Sirinë

Është shtyrë përsëri votimi për miratimin e projektrezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, pasi palët në bisedime nuk kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët...

SHBA – Shtyhet për herë të tretë votimi i projektrezolutës për Sirinë

Është shtyrë përsëri votimi për miratimin e projektrezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, pasi palët në bisedime nuk kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët.

Votimi i projektrezolutës që kërkon “armëpushim humanitar” njëmujor në Siri, ngritur në agjendën e punimeve të Këshillit të Sigurimit nga Rusia dhe hartuar nga Suedia dhe Kuvajti, vend që mban presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është shtyrë për herë të tretë.

Përfaqësuesi i përhershëm i Kuvajtit në OKB, Mansour Al-Otaibi, deklaroi për gazetarët se “deri tani nuk është arritur ndonjë akord” dhe se bisedimet vazhdojnë.

Al-Otaibi bëri me dije se Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet sërish mbrëmjen e së shtunës në përpjekje për të rënë dakord dhe marrë një vendim.

Ndërsa përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, përmes një postimi nga llogaria e saj “Twiter”, akuzoi Rusinë për vonimin e votimit duke u shprehur me fjalët: “Edhe sa njerëz duhet të vdesin derisa Këshilli i Sigurimit të gjejë akordin? Populli i Sirisë nuk mund të presë.”

Projektrezoluta bën thirrje për një armëpushim humanitar njëmujor për dërgimin e ndihmave në Siri dhe sidomos për të evakuuar nga Guta Lindore nën rrethimin e regjimit 700 persona në nevojë urgjente për trajtim mjekësor.

Në këtë projektrezolutë, ku vihet theksi se armëpushimi humanitar duhet të përfshijë të gjithë vendin, kërkohet gjithashtu heqja e rrethimit për 4 rajone, me në krye Gutën Lindore, ku situata humanitare është “alarmuese”, si dhe ndalimi i të gjithë operacioneve ushtarake.

Mirëpo Rusia përsëriti se nuk do ta pranojë këtë projektrezolutë me motivin se i mungon një dispozitë mbrojtëse për regjimin sirian duke propozuar disa ndryshime.

Për miratimin e një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duhet që të paktën 9 nga 15 vendet anëtare të votojnë në favor të saj dhe asnjë nga anëtarët e përhershëm (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca) të mos përdorin veton.



Lajme të ngjashme