Gadishulli Korean – Veriu fton Jugun për takim në Phenian

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, ka ftuar Kryetarin e Shtetit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, për një samit në Phenian...

Gadishulli Korean – Veriu fton Jugun për takim në Phenian

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, ka ftuar Kryetarin e Shtetit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, për një samit në Phenian.

Sipas një lajmi të agjencisë koreanojugore të lajmeve “Yonhap”, motra e udhëheqësit koreanoverior, Kim Yo-Jong, që po qëndron në Korenë e Jugut për Lojërat Olimpike Dimërore “Pyeongchang 2018”, është takuar me Moon në Pallatin Presidencial në Seul.

Kim Eui-Kyeom, zëdhënës i presidentit koreanojugor, deklaroi në një dalje publike pas takimit në fjalë se motra e Kim i ka komunikuar Moon ftesën e liderit koreanoverior.

Në përgjigje të ftesës – vijoi ai – presidenti koreanojugor ka theksuar se Veriu dhe Jugu duhet të vazhdojnë përgatitjet për të pjekur kushtet e nevojshme për takimin e propozuar.

Sipas zëdhënësit, Moon ka vënë në pah gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Veriut duhet të rifillojnë dialogun mes tyre.

“Kim ka deklaruar se pret që ta takojë Moon sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi zëdhënësi.

Kim Yo-Jong, motra e liderit koreanoverior, Kim Jong-Un, ishte e pranishme në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pyeongchang.

Gjatë darkës së shtruar përpara ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore për zyrtarët e shteteve pjesëmarrëse, Kryetari i Shtetit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, kishte shprehur besimin e tij se afrimi i kohëve të fundit ndërmjet Jugut dhe Veriut do të siguronte dialogun dhe paqen në të ardhmen.

Ky do të jetë samiti i tretë i këtij lloji, pas takimeve të Kim Jong-Il, babai i liderit aktual koreanoverior, me ish-presidentët koreanojugorë, Kim Dae-Jung dhe Roh Moo-Hyun në vitet 2000 dhe 2007, të gjitha në Phenian.



Lajme të ngjashme