SHBA-ja “alarmohet seriozisht” nga sulmet kimike të regjimit në Siri

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, ka publikuar një deklaratë me shkrim për bombardimin me gaz klorin nga forcat e regjimit sirian të një vendbanimi civil në qytezën Saraqib të provincës Idlib, nën kontrollin e opozitarëve...

904553
SHBA-ja “alarmohet seriozisht” nga sulmet kimike të regjimit në Siri

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi të hënën vonë se është “alarmuar seriozisht” nga raportet për sulme kimike të regjimit sirian.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, ka publikuar një deklaratë me shkrim për bombardimin me gaz klorin nga forcat e regjimit sirian të një vendbanimi civil në qytezën Saraqib të provincës Idlib, nën kontrollin e opozitarëve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë alarmuar seriozisht nga pretendimet e vazhdueshme të përdorimit të gazit klorin nga regjimi sirian për të terrorizuar civilët e pafajshëm, këtë herë në provincën Idlib, pranë qytezës Saraqib”, thuhet në deklaratën e shkruar të zëdhënëses Nauert.

Duke theksuar se sulmi është rasti i 6-të i raportuar në 30 ditët e fundit në Siri, Departamenti amerikan i Shtetit nxit komunitetin ndërkombëtar që të intensifikojë reagimin dhe të kërkojë nga regjimi i Esadit ndërprerjen e përdorimit të armëve kimike.

“Ne i kërkojmë komunitetin ndërkombëtar që të flasë me një zë dhe të shfrytëzojë çdo shans për të ushtruar presion publikisht ndaj regjimit të Esadit dhe mbështetësve të tij, për të ndalur përdorimin e armëve kimike nga ana e tij dhe për të kërkuar llogari ndaj përgjegjësve për këto sulme brutale”, theksohet në komunikatë.

Në deklarata nënvizohet gjithashtu tha se sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, gjatë një fjalimi muajin e kaluar në kryeqytetin Paris të Francës, ka thënë se edhe Rusia është përgjegjëse për viktimat në Gutën Lindore dhe të tjerë sirianë të panumërt në shënjestër të sulmeve me armë kimike që kur Moska është bërë pjesë e luftës civile në Siri.

“Duke mbrojtur regjimin sirian nga llogaridhënia, Rusia nuk ka përmbushur angazhimet e saj”, potencoi Departamenti amerikan i Shtetit dhe shtoi se duhet të ndalet përdorimi i armëve kimike nga të gjitha palët në Siri.

“Populli sirian po vuan dhe pjesa tjetër e botës po bën sehir”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga zëdhënësja Heather Nauert.

E vendosur në pjesën veriore të Sirisë, pranë kufirit turk, provinca Idlib është shpallur zonë çtensionimi sipas një marrëveshjeje armëpushimi që u arrit majin e vitit të kaluar në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit.

Megjithatë regjimi sirian ka shkelur në mënyrë të përsëritur marrëveshjen dhe ka shënjuar vendbanimet e kontrolluara nga opozitarët sirianë në zonat e çtensionuara si Idlibi.

Kjo provincë nën kontrollin e opozitarëve ka qenë nën sulme ajrore të forta gjatë dy muajve të fundit.

Vetëm gjatë muajit janar, 211 civilë u vranë dhe 1.447 të tjerë u plagosën.

Siria është mbyllur në një luftë civile shkatërruese që nga marsi i vitit 2011, kur regjimi i Esadit vuri në shënjestër protestat prodemokratike me një egërsi të papritur.

Ndërkohë që zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara thonë se qindra-mijëra njerëz janë vrarë në konflikt, zyrtarët e regjimit sirian pretendojnë se numri i të vdekurve është gati 10.000.



Lajme të ngjashme