Siri - Guta Lindore- Rritet numri i viktimave i sulmeve ajrore të regjimit

Numri i të vdekurve si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga regjimi i Bashar Al-Asadit në Gutën Lindore që është nën rrethim në Siri, është rritur në 26.

Siri - Guta Lindore- Rritet numri i viktimave i sulmeve ajrore të regjimit

Forcat e regjimit të Asadit kanë ndërmarrë sulme ajrore dhe artilerie ndaj rajoneve Duma, Haresta, Ajn Terma, Sakba, Arbin dhe Hammurije.

Sipas burimeve të Mbrojtjes Civile (Helmetat e Bardhë) në sulmet ajrore të kryera nga forcat e regjimit kanë humbur jetën 3 civilë në rajonin Sakbe, 13 në Hammurije, dhe nga një civil në rajonet Haresta, Arbin dhe Medjere.

Ndërkohë bëhet e ditur se edhe 7 civilë kanë humbur jetën në sulmet artilerie të ndërmarra në rajonin Duma.

Gjithashtu bëhet e ditur se ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur të shpëtojnë të gjallë një numër të madh civilësh nga rrënojat e ndërtesave të shembura dhe janë duke vazhduar angazhimet e tyre të kërkim-shpëtimit. Një numër i madh i civilëve të plagosur gjatë sulmeve janë marrë nën trajtim mjekësor nëpër spitalet përreth.

Si pasojë e sulmeve ajrore që vazhdojnë pa ndërprerë druhet se numri i të vdekurve mund të rritet.

 

Ekipet e Mbrojtjes Civile në informacionin e postuar ditën e sotme në llogaritë e medias sociale kanë theksuar se si pasojë e sulmeve të ashpra të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij që Guta Lindore është përballur në 11 ditët e fundit, kanë humbur jetën 121 civilë dhe janë plagosur 580 të tjerë.

Teksa brenda periudhës në fjalë në rajon janë kryer 453 sulme ajrore, 440 me raketa tokë-tokë dhe 2.311 sulme artilerie, theksohet se ekipet e mbrojtjes civile kanë arritur të shpëtojnë 42 civilë nga rrënojat.

Bashkë me bilancin e ditës së sotme në sulmet e kryera në 12 ditët e fundit në rajonin e Gutës Lindore kanë humbur jetën 147 civilë.

Ekipet e mbrojtjes civile kishin njoftuar se në vitin 2017 në Gutën Lindore të rrethuar nga regjimi i Asadit, kanë humbur jetën gjithsej 1.337 civilë, 12 prej tyre punonjës të mbrojtjes civile.

Në Gutën Lindore, e cila gjendet nën kontroll të opozitarëve, jetojnë afro 400 mijë civilë prej të cilëve gjysma janë fëmijë. Në kundërshtim me marrëveshjen e Astanas ku Guta Lindore u shpall si "zonë jokonfliktuale" regjimi i Asadit, garantues i së cilit ishte Rusia, ka 9 muaj që ka intensifikuar bllokadën ndaj rajonit në fjalë.

Në rajonin ku është thelluar kriza humanitare, ka mbi 600 raste emergjente dhe mijëra të sëmurë të tjerë të cilët presin të evakuohen. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë ose të sëmurë me kancer në faza të avancuara. Shumë foshnje dhe fëmijë nga Guta Lindore humbën jetën si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve. (AA)



Lajme të ngjashme