Gjaku i ushtarëve të arratisur koreanoverior përmban antirupa të sëmundjes së plasjes

Sipas lajmit që përcjell kanali televiziv koreanojugor, “Channel A” imuniteti i trupit të ushtarit të arratisur nga Koreja e Veriut ka zhvilluar antitrupa ndaj sëmundjes në fjalë.

876917
Gjaku i ushtarëve të arratisur koreanoverior përmban antirupa të sëmundjes së plasjes

Në gjakun e njërit prej ushtarëve të ikur në Korenë e Jugut nga fqinji i saj verior janë zbuluar antitrupat e sëmundjes së plasjes.

Sipas lajmit që përcjell kanali televiziv koreanojugor, “Channel A” të bazuar në prononcimet e një zyrtari të shërbimit informativ të Koresë së Jugut, imuniteti i trupit të ushtarit të arratisur nga Koreja e Veriut ka zhvilluar kundërtrupa ndaj sëmundjes në fjalë.

Ndërkaq në lajm nuk specifikohet saktësisht se a është vaksinuar ushtari kundër bacilit të kësaj sëmundjeje, apo ka qenë i ekspozuar ndaj saj.

Këtë vit më 12 qershor, 18 qershor, 13 nëntor dhe 20 dhjetor nga Koreja e Veriut në Korenë e Jugut janë arratisur 4 ushtarë.

Në lajm gjithashtu nuk specifikohet se tek cili prej këtyre ushtarëve është hasur në antitrupa të sëmundjes së plasjes.

80% të personave të infektuar me bacilin e kësaj sëmundjeje vdesin brenda 1-2 ditëve në qoftë se nuk përdorin antibiotikë apo nuk bëjnë vaksinë.

Ngjarja e fundit shkaktoi shqetësime në Korenë e Jugut pasi ushtria ende nuk ka zhvilluar një vaksinë kundër kësaj sëmundjeje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Choi Hyun-soo konfirmoi se Seuli zyrtar ende nuk ka ndonjë vaksinë kundër sëmundjes së plasjes, ndërsa shtoi se presin që ushtria nga fundi i vitit 2019 të ketë prodhuar vaksinën kundër sëmundjes.

Pretendimet se në gjakun e ushtarit koreanoverior janë gjetur antitrupa të sëmundjes së plasjes erdhi pas publikimit të lajmit të gazetës japoneze “Asahi” se Koreja e Veriut ka filluar me testimet e raketave balistike ndërkontinetale me testata bacilmbajtëse të sëmundjes së plasjes.

Ndërkaq një burim pranë shërbimit informativ të Koresë së Jugut deklaroi se “Koreja e Veriut është duke bërë testime për të kuptuar se a do të mbijetojnë bacilet e sëmundjes në fjalë në testatat e raketave balistike ndërkontinentale ndryshimet e presionit të ajrit dhe të temperaturave të larta që arrijnë deri në 7 mijë gradë celsius gjatë hyrjes së tyre në atmosferën e tokës”.

Ndërkohë që Koreja e Veriut i mohon të gjitha pretendimet për zhvillimin e armëve biologjike, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump në dokumentin e parë të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, të publikuar më 19 dhjetor, kishte pretenduar se “udhëheqja e Kim Jong-un është duke zhvilluar programe për prodhimin e armëve kimike dhe biologjike, të cilat do të mund ti dërgojë me anë të raketave”.



Lajme të ngjashme