Koment – Thika në majë të shkopit

Kush apo cila qendër e pushtetit i ka transformuar të gjitha institucionet shtetërore amerikane dhe sistemin e këtij vendi në një “thikë në majë të shkopit”?

Koment – Thika në majë të shkopit

Aventura e njerëzimit për të zhvilluar teknikat dhe teknologjitë e luftës, zanafilla e së cilave ishin gurët e mprehtë të lidhur në majë të shkopinjve të gjatë (për të formuar një lloj ushte primitive), vijon ende sot e kësaj dite me një shpejtësi marramendëse.

Njerëzimi revolucionoi artin e luftës duke vendosur në majë të shkopit një mjet të mprehtë prej metali, me përmasa midis shpatës dhe kamës. Sepse mjetet e shkurtra të gjuetisë, në shumicën e rasteve, rezultonin të pamjaftueshme kundër shtazëve të egra më të fuqishme se njeriu dhe kjo mund t’i kushtonte jetën.

Edhe pse shumë e lashtë, kjo metodë përdoret ende tani nga njerëzit duke qenë se prodhon rezultat thuajse të përkryer. Dhe natyrisht kjo metodë ka vazhduar të jetë funksionale në çdo epokë, por me disa shtesa në përbërje të saj.

Fillimisht, në njërin fund të shkopinjve të fortë dhe të qëndrueshëm vendosej hekur i mprehur vetëm në dy tehe e majë; kurse në ditët e sotme moderne është njeriu ai që përdoret për këtë qëllim.

Për fat të keq, këtij përkufizimi i përshtaten shumë edhe politikat e ndjekura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deri në ditën e publikimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare.

Administrata Trump është duke transformuar në top të zjarrtë dhe rajon krize çdo vend që prek, nga Azipaqësori e deri në Evropën Veriore dhe skajin më të largët të botës. Përkufizimi “thika në majë të shkopit” vetëm kaq mund t’i shkonte për shtat një politikani.

Gjatë fushatës së tij elektorale, Trumpi pati premtuar se në rajonet problematike nuk do të ndërtonte marrëdhënie me organizatat dhe derivatet e tyre, por drejtpërsëdrejti me shtetet, për të ndihmuar në ndalimin e kaosit ekzistues në botë. Për më tepër, ai pati thënë e përsëritur jo pak herë se edhe burimi i kaosit ekzistues ishte presidenti i mëparshëm i SHBA-së, Barack Obama. Madje pati hedhur pretendimin se organizata terroriste DAESH ishte themeluar gjithashtu nga administrata Obama.

Plagët e hapura në çdo vend të prekur nga Presidenti Trump – sikurse thika në majë të shkopit – ç’është e vërteta, si gazetarë dhe analistë politikë, ne i shikonim si vepra individuale. Pra, komentonim se të gjitha këto ishin politika personale të Trumpit dhe nuk kishin lidhje me shtetin amerikan.

Mirëpo Strategjia e Sigurisë Kombëtare, publikuar gjatë ditëve të kaluara nga numri 1 i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, zbuloi qartë se “thika në majë të shkopit” është vetë administrata e tij, përfaqësuese maksimale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas mendimit tim, fjalia më e spikatshme e Trumpit gjatë shpalljes  së Strategjisë së Sigurisë Kombëtare është kjo: “Strategjia e Sigurisë Kombëtare gëzon miratimin e të gjithë kabinetit tim.” Me fjalë të tjera, qeveria amerikane dhe inteligjencia shtetërore dorë për dorë do të jenë avokatë dhe implementues të politikës që nxit kaosin në botë.

Nëse e vlerësojmë në këtë aspekt, lehtësisht mund të arrijmë në përfundimin se “problemi i sigurisë kombëtare të SHBA-së qëndron së pari brenda saj”. Ky botëkuptim do t’i përplasë Shtetet e Bashkuara pas një muri të fortë.

Sepse në asnjë vend nuk është projektuar ndonjëherë me një partneritet të këtillë shtet-qeveri që t’i hapet front tërë botës. Madje dhe në Gjermaninë naziste, shumë politikanë dhe shkencëtarë kanë qenë kundërshtarë të Adolf Hitlerit. Kurse sot, në Austri, një shembull më i freskët i evolucionit drejt një qeverie të ngjashme, shteti dhe burokracia po refuzojnë politikat e koalicionit të ekstremit të djathtë.

Për shembull: Inteligjencia e shtetit austriak u bëri shtojca të shumta deklaratave mbi politikat evropiane të Kryeministrit të ri, Sebastian Kurz, i akuzuar se ushqen simpati për nazizmin, duke dhënë mesazhin se nuk do të largohen apo distancohen nga bota perëndimore. Sot vërejmë që inteligjencia shtetërore e Austrisë, pra, burokracia vjeneze, ka limuar me sa ka pasur mundësi politikat ultranacionaliste dhe margjinalizuese të Kurzit.

Megjithatë një burokraci të tillë po nuk e shohim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga CIA në Departamentin e Drejtësisë dhe nga Departamenti i Mbrojtjes tek NSA-ja e Kongresi i SHBA-së, inteligjencia amerikane është duke e mbështetur këtë strategji të Trumpit për sigurinë kombëtare. E gjithë bota po vëzhgon madje se si disa institucione shtetërore të SHBA-së arrijnë deri në nivele kaq ekstreme, saqë lënë pas edhe Trumpin.

Në fakt, siç jemi mësuar deri më sot, Kongresi, Senati, burokratët dhe Shtëpia e Bardhë në SHBA prodhonin gjithmonë politika që balanconin njëra-tjetrën dhe nuk e prishnin ekuilibrin e botës. Thënë ndryshe, çdo institucion zhvillonte politika që lëmonin ekstremizmin e tjetrit dhe përpiqej të kontribuonte për vazhdimin e paqes botërore.

Çfarë i ka mbledhur qeverinë, Kongresin, Senatin, burokracinë dhe Shtëpinë e Bardhë – këto institucione bazë të Shteteve të Bashkuara – rreth një programi të aftë për të prishur kaq shumë qetësinë globale? Kush apo cila qendër e pushtetit i ka transformuar të gjitha institucionet shtetërore amerikane dhe sistemin e këtij vendi në një “thikë në majë të shkopit”?

Këto janë pyetjet që ne duhet t’u gjejmë përgjigje përpara se të diskutojmë rreth asaj përmbajtjeje katastrofike të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së.

 

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme