Mbreti Salman i Arabisë Saudite, biseda telefonike me Presidentin Trump dhe Kryeministren May

Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite realizoi biseda telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May...

Mbreti Salman i Arabisë Saudite, biseda telefonike me Presidentin Trump dhe Kryeministren May

Mbreti Salman bin Abdulaziz i Arabisë Saudite realizoi një bisedë telefonike me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Siç bën të ditur agjencia zyrtare saudite e lajmeve, “SPA”, Presidenti Trump dënoi gjatë kësaj bisede telefonike sulmin me raketë balistike në kryeqytetin Riad të Arabisë Saudite, kryer nga huthitët jemenas. 

Pasi vlerësoi si “të papranueshëm” këtë akt, të cilin e quajti një ndërhyrje të hapur ndaj sigurisë dhe stabilitetit të shtetit, Trump tha se SHBA-ja është në krah të Arabisë Saudite kundër të gjitha sulmeve që shënjojnë sigurinë kombëtare.

Dy liderët nënvizuan gjithashtu se regjimi iranian, furnizues i huthitëve jemenas me raketa, duhet të mbajë përgjegjësi për sulmet që po kërcënojnë sigurinë e Arabisë Saudite dhe rajonit.

Mbreti Salman dhe Presidenti Trump kërkuan në këtë pikë zbatimin e rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 

Ata theksuan edhe nevojën për të mbështetur aktivitetet e ndihmave humanitare për popullin e Jemenit.

Nga ana tjetër, Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, bisedoi në telefon po ashtu me Mbretin Salman të Arabisë Saudite dhe Princin e Fronit, Mohammad bin Salman.

Sipas një komunikate me shkrim nga Kryeministria britanike, May shprehu kënaqësinë e Londrës në lidhje me vendimin e forcave të koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite për të rivënë në përdorim portin Hudaydah të Jemenit.

“Kryeministrja May dënoi në mënyrën më të fuqishme sulmin me raketë balistike, që huthitët jemenas kryen ndaj kryeqytetit Riad të Arabisë Saudite. Ajo gjithashtu priti me kënaqësi maturinë e treguar nga Riadi përballë agresivitetit të papranueshëm të huthitëve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga selia në “10 Downing Street”.

Mes të tjerash, komunikata në fjalë thekson se Britania e Madhe mbetet e angazhuar në lidhje me sigurinë e Arabisë Saudite dhe se Kryeministrja May pret me padurim vizitën, që Princi i Fronit, Mohammad bin Salman, do të realizojë vitin e ardhshëm në vendin ishullor.



Lajme të ngjashme