SHBA – Nikki Haley kërcënon diplomatët në OKB për Jerusalemin: Trump po ju shikon!

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, ka kërcënuar në mënyrë indirekte diplomatët e tjerë duke u dërguar e-mail që ditën e enjte të votojnë kundër projektrezolutës për Jerusalemin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara...

SHBA – Nikki Haley kërcënon diplomatët në OKB për Jerusalemin: Trump po ju shikon!

Përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Nikki Haley, ka kërcënuar në mënyrë indirekte diplomatët e tjerë duke u dërguar e-mail që ditën e enjte të votojnë kundër rezolutës për Jerusalemin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bën të ditur revista “Foreign Policy”.

Në këtë e-mail, tekstin e të cilit e ka siguruar revista prestigjioze në fjalë dhe e ka publikuar në uebfaqen e saj, Nikki Haley paralajmëron ambasadorët e vendeve të tjera anëtare të OKB-së.

Ndërsa konsideroni votën tuaj, dua që ju të dini se Presidenti dhe SHBA-ja e marrin këtë votë si çështje personale”, shkruan ajo në një e-mail që u mor nga “Foreign Policy”.

“Presidenti do ta shikojë me kujdes këtë votë dhe më ka kërkuar që të raportoj për ato vende që votuan kundër nesh. Ne do të marrim parasysh çdo votë për këtë çështje”, shton Haley.

Haley thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk u kërkojnë vendeve të tjera që të ndjekin shembullin e Uashingtonit dhe të transferojnë ambasadat e tyre në Jerusalem, “edhe pse ne mendojmë se do të ishte e përshtatshme”.

Vërejtjet e ambasadores permanente të SHBA-së në Kombet e Bashkuara ndjekin vendimin e Presidentit Donald Trump, njoftuar më datë 6 dhjetor, nëpërmjet të cilit vendi i tij njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, duke përmbysur kështu jo vetëm gati shtatë dekada të politikës së jashtme amerikane në lidhje me këtë çështje jashtëzakonisht delikate, por edhe konsensusin e OKB-së se statusi i Jerusalemit do të zgjidhet si pjesë e një marrëveshjeje paqeje gjithëpërfshirëse izraelito-palestineze.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën të hënën veton e vetme në votimin e projektrezolutës për Jerusalemin, ngritur nga Egjipti në agjendën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke mbetur vetëm në mesin e 15 vendeve anëtare.

Votimi i 14 vendeve të tjera në favor të p/rezolutës shpalosi edhe një tjetër herë se vendimi i njëanshëm i SHBA-së për Jerusalemin nuk gëzon mbështetjen e opinionin publik ndërkombëtar.



Lajme të ngjashme