SHBA-ja rrëzon p/rezolutën për Jerusalemin në OKB, kritikohet nga aleatët historikë evropianë

SHBA-ja përdori të hënën veton e vetme në votimin e projektrezolutës për Jerusalemin, ngritur nga Egjipti nën lidershipin e Turqisë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke mbetur vetëm në mesin e 15 vendeve anëtare...

SHBA-ja rrëzon p/rezolutën për Jerusalemin në OKB, kritikohet nga aleatët historikë evropianë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorën të hënën veton e vetme në votimin e projektrezolutës për Jerusalemin, ngritur nga Egjipti nën lidershipin e Turqisë në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke mbetur vetëm në mesin e 15 vendeve anëtare.

Votimi i 14 vendeve të tjera anëtare në favor të p/rezolutës shpalosi edhe një tjetër herë se vendimi i njëanshëm i SHBA-së për Jerusalemin nuk gëzon mbështetjen e opinionin publik ndërkombëtar.

Përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB, Nikki Haley, e cila mori fjalën gjatë këtij sesioni të Këshillit të Sigurimit, mbrojti vendimin e njoftuar nga Presidenti Donald Trump në lidhje me Jerusalemin duke bërë të ditur se Uashingtoni do të ruajë pozicionin aktual.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sovranitetin e nevojshëm për të përcaktuar se ku dhe nëse vendosim një ambasadë”, tha Haley duke e cilësuar votimin si një “fyerje që nuk do të harrohet”.

Ndërsa përfaqësuesi i përhershëm i Palestinës në OKB, Riyad Mansour, deklaroi në fjalën e rastit gjatë sesionit se “ky vendim nuk do të ndryshojë asgjë në lidhje me Jerusalemin, pasi Qyteti i Shenjtë do të mbetet përherë në zemrën e Palestinës”.

Votimi i sotëm – shtoi Mansour – refuzoi edhe një tjetër herë vendimin provokues të SHBA-së duke mos i dhënë atij aspak mbështetje ndërkombëtare.

Amr Abdellatif Aboulatta, emisar i përhershëm i Egjiptit në Kombet e Bashkuara, nga ana e tij sqaroi arsyen e ngritjes së kësaj p/rezolute në agjendën e Këshillit të Sigurimit dhe vuri në pah se ky hap i SHBA-së, i cili do të ketë efekt mbi statusin përfundimtar të Jerusalemit, është krejtësisht i papranueshëm.

Kurse Matthew Rycroft, ambasador në OKB i Mbretërisë së Bashkuar, një anëtare e përhershme me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, votoi në favor të p/rezolutës.

Sepse – shpjegoi ai – drafti ishte në përputhje me qëndrimin e gjatë të Londrës për statusin e Jerusalemit.

“Qëndrimi ynë është se çështja e Jerusalemit është një çështje e statusit përfundimtar që Jerusalemi duhet të jetë një kryeqytet i përbashkët për izraelitët dhe për palestinezët dhe se, tani për tani, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të mbetet në Tel-Aviv”, tha Matthew Rycroft duke theksuar se ky hap i SHBA-së do të vështirësojë shumë zgjidhjen me dy shtete dhe shkaktojë jo pak probleme në lidhje me statusin përfundimtar të Jerusalemit.

Përfaqësuesi i përhershëm i Francës në OKB, François Delattre, nënvizoi se “Jerusalemi është çelësi i paqes ndërmjet Palestinës dhe Izraelit”.

“S’mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet këtyre dy shteteve pa një pajtim mbi Jerusalemin”, vlerësoi ambasadori francez.

Nickolay Mladenov, koordinator i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Paqen në Lindjen e Mesme, u shpreh se vendimi i Trumpit ka krijuar një situatë “më të tensionuar” në rajon.

“Një mungesë e hapave domethënëse në terren drejt një zgjidhjeje të shumëkërkuar me dy shtete po fuqizon radikalët dhe dobëson të moderuarit”, potencoi ai përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Dobësimi i arkitekturës ndërkombëtare në mbështetje të paqes po rrit rreziqet për rajonin”, shtoi ai.

P/rezoluta, e cila parashikonte shpalljen “ligjërisht të pavlefshëm” të vendimin të “SHBA-së që njohu Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit”, pasi ky hap bie ndesh me rezolutat përkatëse të OKB-së, u rrëzua të hënën me veton e Uashingtonit.

SHBA-ja ishte i vetmi shtet që votoi “kundër” në mesin e 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Më 1980-n, Izraeli shpalli “kryeqytet të bashkuar” Jerusalemin Perëndimor dhe Lindor, pasi e kishte pushtuar këtë të fundit më datë 5 qershor 1967. Gjatë të njëjtit viti, Këshilli i Sigurimit të OKB-së adoptoi rezolutën numër 478 duke anuluar shpalljen e kryeqytetit dhe aneksimin e tij nga Izraeli.

Sipas kësaj rezolute të OKB-së, shoqëria ndërkombëtare – përfshi këtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – pranojnë se Jerusalemi Lindor është një pjesë e Qytetit të Shenjtë nën pushtimin e Izraelit.

Ambasadat e të gjitha shteteve, të cilat njohin Izraelin dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me të, ndodhen aktualisht në Tel-Aviv. Asnjë vend nuk e pranon Jerusalemin apo pjesët lindore dhe perëndimore të tij si kryeqytet të Izraelit.



Lajme të ngjashme