Ish-ministri rus i Ekonomisë dënohet me 8 vite burg për korrupsion

Ish-ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Aleksey Ulyukaev, është shpallur fajtor për korrupsion nga gjykata “Zamoskvoretskiy” në Moskë, për pranimin e një zarfi me 2 milionë dollarë nga CEO-ja i “Rosneft”, Igor Sechin...

Ish-ministri rus i Ekonomisë dënohet me 8 vite burg për korrupsion

Ish-ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, Aleksey Ulyukaev, është shpallur fajtor për korrupsion nga gjykata “Zamoskvoretskiy” në Moskë, për pranimin e një zarfi me 2 milionë dollarë nga CEO-ja i “Rosneft”, Igor Sechin.

Ai u dënua me 8 vite burg dhe punë të detyrueshme, ndonëse Ulyukaev vazhdon të pretendojë se është i pafajshëm.

Ky proces ka mbajtur në alarm gjithë median ruse, sidomos pasi ish-ministri u arrestua në hyrjen e selisë moskovite të Rosneft-it dhe u gjend me një çantë plot me para.

Sechini, një person shumë i besuar i Putinit, me një të kaluar në shërbimet sekrete (FSB) dhe sipas shumë burimesh drejtues i fraksionit të fajkonjve (një drejtim konservator brenda partisë së Putinit), ka akuzuar Ulyukaevin se i morri paratë si shpërblim për miratimin që kishte dhënë për blerjen e “Bashneft”, kompani nafte që në atë kohë ishte në synimet ekspansioniste të Sechinit.

Nga ana tjetër, Ulyukaevi, që është anëtar i grupimit të kundërt, pëllumbat liberalë, ka mohuar gjithnjë këtë duke e përkufizuar arrestimin e tij si një provokim të orkestruar nga Sechini dhe ka theksuar se nuk e dinte që në çantë kishte para, po kishte menduar se ishte një dhuratë me verë dhe sallam për Krishtlindje.

Sechini, pavarësisht që u thërrit të dëshmonte si akuzuesi kryesor, nuk është paraqitur kurrë në gjykatë për marrjen në pyetje dhe gjykata ka punuar vetëm me depozitimin që ai kishte bërë në fazën fillestare. /ATSH



Lajme të ngjashme