Koment - Kutia e Pandorës: Vendimi i Trumpit për Jerusalemin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump krahas paralajmërimeve të bëra nga bota, deklaroi se Jerusalemin e ka njohur si kryeqytet të Izraelit.

868373
Koment - Kutia e Pandorës: Vendimi i Trumpit për Jerusalemin

Krahas paralajmërimeve të bëra nga bota, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump bëri të ditur se ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në këtë mënyrë, 50 vite pas pushtimit të Jerusalemit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë vendi i parë, i cili e njohu atë si kryeqytet të Izraelit. Ky vendim nuk shkaktoi reagime vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Evropë. Në të katër anët e botës njerëzit dolën nëpër rrugë për të protestuar.

Prapa këtij vendimi të Trumpit qëndrojnë dy arsye. Trump gjatë fushatës së tij zgjedhore kishte premtuar që në qoftë se zgjidhet për president do ta njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në këtë mënyrë ai e mbajti premtimin e dhënë lobit hebre në Amerikë. Gjithashtu me anë të këtij veprimi ai përpiqet për të marrë mbështetjen e kësaj shtrese në këto ditë kur në politikën e brendshme po jetohet një bllokadë.

Me këtë vendim Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke bërë shkelje të hapur të të drejtës ndërkombëtare. Në rezolutën e miratuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, numër 478 të datës 20 gusht 1980 shkruhet kështu: “Të gjitha përpjekjet për ndryshimin e statusit të Jerusalemit do të jenë të pavlefshme. Nga të gjitha vendet kërkohet që ti tërheqin misionet e tyre diplomatike nga ky vend nëqoftë se kanë të tilla. Sipas kartës së OKB-së, vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë të detyrueshme për vendet anëtare të Këshillit dhe për këtë arsye ShBA-të duhet ti përmbahen rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1980.

Vendimi i Trumpit mund të shkaktoj ngjarje të rënda. Kjo krizë mund të bëhet shkak edhe për konflikte të reja në Palestinë, Izrael dhe Lindjen e Mesme. Dimë se Izraeli është i shqetësuar shumë nga forcimi i Iranit dhe Hezbollahut në Siri. Në qoftë se rikujtojmë vitin 2006 do të shohim se zhvillimet e jetuara në atë kohë në Palestinë kanë nxitur luftën mes Izraelit dhe Hezbollahut. Tani le ti hedhim një sy atyre që po jetohen në Lindjen e Mesme. Këtu shohim një atmosferë të polarizimit të madh, e shohim edhe një administratë pro-izraelite të ShBA-së, një qeveri të Izraelit të bllokuar në politika të brendshme, ndasi që jetohen në Palestinë dhe rritjen e kapacitetit ushtarak të Hezbollahut. Të gjitha këto të rikujtojnë vitin 2006.

 

Në anën tjetër vendimi i Trumpit minon edhe procesin e paqes mes Izraelit dhe Palestinës edhe ashtu të pezulluar. Dëshira e Izraelit për të ndërtuar vendbanime të paligjshme në Jerusalem dhe Bregun Perëndimor, për të shpallur tërë Jerusalemin si kryeqytet dhe qëndrimi i tij i pakompromistë në lidhje me çështjen e refugjatëve bënë që negociatat të bllokohen. Tani ky vendim i marrë në lidhje me Jerusalemin, statusi i të cilit paraqet njërën prej problemeve, mund ta ndalojë plotësisht këtë proces.

Padyshim se me këtë vendim do të shtohen edhe reagimet në Lindjen e Mesme ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, ky vendim i Trumpit kritikohet edhe brenda vendit të tij. Mirëpo popujt e Lindjes së Mesme nuk i atribuojnë këtë vendim vetëm Trumpit, por tërë ShBA-së. Prandaj, vendimi në fjalë do të rrisë edhe më shumë armiqësinë ndaj ShBA-së tek popujt e Lindjes së Mesme. Një rezultat tjetër i rrezikshëm që do të dalë nga ky vendim do të jetë rritja e radikalizmit në Lindjen e Mesme. Njerëzit, të cilëve u është bërë e padrejtë, do të reagojnë më shumë në qoftë se nuk i jepet përgjigje e duhur këtyre të padrejtave. Ky zhgënjim paraqet një terren të përshtatshëm për forcimin e radikalizmit.

Vendimi i Trumpit ka një rëndësi të veçantë edhe nga aspekti i politikave botërore. Ai mund të dëmtoj marrëdhëniet ShBA-BE. Kështu që Franca dhe Gjermania, që janë vendet kryesore të Bashkimit Evropian, dolën kundër këtij vendimi. BE-ja deklaroi se vendimi i Trumpit është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vuri theksin në nevojën për gjetjen e zgjidhjes në kuadër të rezolutave të Këshilli të Sigurimit të OKB-së. Dihet se Anglia gjatë kohës së fundit është larguar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të politikave të tyre ndaj Sirisë, Arabisë Saudite dhe Irakut. Me sa duhet ky vendim i Trumpit për Jerusalemin do të thellojë edhe më shumë këtë ndasi mes tyre dhe aleanca mes Evropës dhe Atlantikut do të marrë një plagë serioze.

Aktualisht reagimet më të ashpra ndaj vendimit të Trumpit vijnë nga vendet joarabe të botës islame. Njëra prej vendeve që dinë më së miri seriozitetin e çështjes në fjalë, është Turqia, e cila bëri deklarata të ashpra në lidhje me këtë çështje. Pas këtyre deklaratave Turqia përpiqet të formojë një iniciativë politike. Theksi i vënë në deklaratat e Turqisë  për drejtësinë ndërkombëtare dhe domethënien e Jerusalemit për njerëzimin së bashku me ndjeshmërinë e botës islame, janë shumë të rëndësishme. Ky theks në të njëjtën kohë është një mesazh universal. Në qoftë se Turqia e gjen përkrahjen e duhur të opinionit publik botëror, atëherë do të parandalohet humbja e plotë e besimit ndaj diplomacisë. Sepse nëse udhëheqja e ShBA-së ballafaqohet me një rezistencë diplomatike, politike dhe shoqërore, atëherë do të detyrohet të bëjë një hap prapa. Ndërkaq edhe bota islame do të luante një rol kyç në zgjidhjen e kësaj krize në mënyrë pozitive. Nëse bota islame i tejkalon mosmarrëveshjet brenda saj dhe zhvillon një qëndrim të përbashkët kjo krizë do të zgjidhet në mënyrë pozitive brenda një kohe më të shkurtë se që pritet.



Lajme të ngjashme