Mogherini: Zgjidhje e vetme reale me Jerusalemin kryeqytet i dy shteteve

Federica Mogherini dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u adresuan në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Mogherini: Zgjidhje e vetme reale me Jerusalemin kryeqytet i dy shteteve

Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, në lidhje me çështjen palestineze ka thënë se, "Zgjidhja e vetme reale është një zgjidhje mes dy shtetesh në kuadër të kufijve të vitit 1967, që do të sigurojë që Jerusalemi të jetë kryeqyteti i të dy shteteve".

Para takimit të mëngjesit me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, i cili u mbajt në Bruksel, Mogherini dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u adresuan në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Mogherini, pasi e ka cilësuar "mundësi historike" vizitën e Kryeministrit izraelit, ka rikujtuar se që prej 22 vitesh institucionet e BE-së nuk vizitohen nga një Kryeministër i këtij vendi dhe ka theksuar se kjo periudhë kohore është një periudhë e gjatë për "miqtë dhe partnerët".

Mogherini ka njoftuar se Netanyahu do të takohet me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe se në takim do të bisedohet procesi i paqes në Lindjen e Mesme, marrëdhëniet e forta dypalëshe BE-Izrael dhe çështjet rajonale.

"Gjetja e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për problemin palestinez është me rëndësi për interesat izraelite, veçanërisht për ato të sigurisë. Për këtë arsye, BE së bashku me aleatët e saj do të punojë në arenën ndërkombëtare dhe në rajon, në përpjekje për të rifilluar procesin e paqes", ka vlerësuar Mogherini, duke theksuar se vizita e Kryeministrit Netanyahu po zhvillohet në një periudhë të rëndësishme.

Pasi ka theksuar se duhet të pengohet rritja e tensioneve në rajon, Mogherini ka shtuar së i dënojnë "sulmet me objektiv hebrenjtë si në Evropë ashtu edhe në Izrael".

Ndërkaq, Kryeministri izraelit ka shpjeguar se ndodhet në Bruksel pas një ftese nga BE-ja dhe është shprehur se Evropa dhe Izraeli janë "partnerë të rëndësishëm" dhe se ata punojnë bashkërisht për sigurinë, mirëqenien dhe paqen.

Netanyahu poashtu ka thënë se shërbimet e inteligjencës së Izraelit kanë penguar shumë sulme terroriste në territoret e BE-së dhe se ata do të vazhdojnë të punojnë me BE-në në luftën kundër terrorizmit.

"Partneriteti midis Izraelit dhe Evropës ka një rëndësi jetike. Ky partneritet është i rëndësishëm për Izraelin dhe Evropën" ka theksuar Netanyahu.

Ndër të tjera, duke mbrojtur idenë e tij se "që prej 100 vitesh kanë zgjatur dorën e tyre për paqe", Netanyahu ka pretenduar se përballë kësaj janë sulmuar vazhdimisht dhe ka theksuar se, "Populli i Palestinës mohon praninë dhe historinë e Izraelit. Jerusalemi ka qenë kryeqytet i popullit të Izraelit prej 3 mijë vitesh".

Duke vënë në dukje se hebrenjtë nuk e kanë humbur asnjëherë lidhjen e tyre me Jerusalemin, Netanyahu ka komentuar se: "Këto lidhje historike dhe të vërteta po përpiqen të mohohen me vendime qesharake në platformat e Kombeve të Bashkuara, në UNESCO".

"Trump ka paraqitur në mënyrë të qartë vetëm të vërtetat", është shprehur Netanyahu, duke mbrojtur idenë e tij se paqja mund të ndërtohet vetëm duke pranuar të vërtetat.

"Unë besoj se edhe pse nuk kemi arritur ende një marrëveshje, të gjitha vendet evropiane do t'i zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem dhe do ta njohin atë si kryeqytet të Izraelit" ka shtuar Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.



Lajme të ngjashme