Belgjika: Bashkimi Evropian duhet të marrë një rol më aktiv për Jerusalemin

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Didier Reynders, deklaroi të enjten se Bashkimi Evropian duhet të marrë një “rol më aktiv” në çdo dialog në Lindjen e Mesme për Jerusalemin...

Belgjika: Bashkimi Evropian duhet të marrë një rol më aktiv për Jerusalemin

Ministri belg i Punëve të Jashtme, Didier Reynders, deklaroi të enjten se Bashkimi Evropian duhet të marrë një “rol më aktiv” në çdo dialog në Lindjen e Mesme për Jerusalemin.

Gjatë një interviste për “Radio 1” në Belgjikë, Reynders tha se vendimi i njëanshëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, është për të ardhur keq.

Shefi i diplomacisë belge paralajmëroi kundër një rreziku të madh të dhunës dhe shtoi: “Ky është një vendim shumë i keq dhe diplomatët belgë ua kanë bërë të qartë këtë gjë bashkëbiseduesve të tyre amerikanë. Ne duhet urgjentisht të lëvizim drejt dialogut dhe të mos marrim një vendim të njëanshëm.”

“Tani BE-ja duhet të luajë një rol më aktiv në procesin e paqes. Ne kemi një pozicion të rëndësishëm si një nga partnerët kryesorë tregtarë të Izraelit dhe një nga mbështetësit kryesorë të qeverisë palestineze”, u shpreh ai.

Kryediplomati belg theksoi gjithashtu se një zgjidhje me dy shtete është opsioni i duhur.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian bëri me dije se “qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar”.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj do të vazhdojnë të respektojnë konsensusin ndërkombëtar mbi Jerusalemin të përcaktuar, ndër të tjera, në rezolutën numër 478 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përfshirë edhe vendndodhjen e përfaqësive të tyre diplomatike derisa të zgjidhet statusi përfundimtar i Jerusalemit”, thuhet në një komunikatë të Unionit.

“Një zgjidhje e negociuar me dy shtete, e cila përmbush aspiratat e të dyja palëve, është e vetmja mënyrë realiste për të sjellë paqen dhe sigurinë e qëndrueshme të merituar nga izraelitët dhe palestinezët”, theksohet në komunikatën e sipërcituar.

Të mërkurën, Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi vendimin për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të transferuar Ambasadën e SHBA-së nga Tel-Avivi pavarësisht kundërshtimeve të fuqishme ndërkombëtare.

Jerusalemi mbetet në thelb të konfliktit Izrael-Palestinë, me këtë të fundit që shpreson se Jerusalemi Lindor - tani i pushtuar nga Izraeli - mund të shërbejë si kryeqytet i një shteti të ardhshëm palestinez.

Përpara zgjedhjes së tij vitin e kaluar, Trump premtoi në mënyrë të përsëritur se do të transferonte Ambasadën e SHBA-së në Jerusalem.



Lajme të ngjashme