Mbledhja për Sirinë në Astana përfundon pa rezultat

Përfundoi mbledhja e 7-të për Sirinë që u zhvillua në Astana, kryeqytetin e Kazakistanit.

Mbledhja për Sirinë në Astana përfundon pa rezultat

Në mbledhjen ku u biseduan shumë çështje kritike, palët nuk arritën në një marrëveshje për këmbimin e robërve dhe të burgosurve dhe hyrjen e ndihmave humanitare pa ndërprerje në rajonet që gjenden nën bllokadë.

Vendet garantuese morën vendim për të vazhduar punimet mbi këto çështje.

Në ditën e dytë dhe të fundit të mbledhjes, ndërmjet Turqisë, Rusisë, Iranit dhe regjimit të Esadit dhe opozitës së moderuar u organizuan takime dypalëshe dhe trepalëshe.

Në takime morën pjesë edhe delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jordanisë dhe Kombeve të Bashkuara, që merrnin pjesë në mbledhje si monitoruese.

Delegacioni turk u kryesua nga nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sedat Onal.

Edhe pse në Astana nuk u arrit marrëveshje në çdo temë, palët ranë dakord mbi tekstin e një deklarate të përbashkët.

Ministri i Jashtëm i Kazakistanit, Kayrat Abdrahmanov lexoi komunikatën përfundimtare pas mbledhjes, që zgjati 2 ditë.

Abdrahmanov bëri të ditur se palët shprehën kënaqësinë për sigurimin në mënyrë të gjerë të armëpushimit për të reduktuar tensionin në Siri, që u vendos në mbledhjen e mëparshme (turi i mëparshëm i bisedimeve për paqen në Siri).   

Në lidhje me masat për rritjen e sigurisë Ministri i Jashtëm bëri të ditur se ndahet i njëjti mendim për vazhdimin e punimeve në çështje si dorëzimi i xhenazeve dhe përcaktimi i identitetit të personave të humbur.

Ai tha gjithashtu se planifikojnë që mbledhja e tetë të zhvillohet në gjysmën e parë të muajit dhjetor.



Lajme të ngjashme