SHBA – Administrata Trump kërkon zgjerimin e kompetencave të luftës

Administrata Trump argumentoi të hënën se çdo zëvendësim i rezolutës mbi përdorimin e forcës nga SHBA-ja pas periudhës së 11 shtatorit duhet të jetë më i gjerë dhe më fleksibël...

SHBA – Administrata Trump kërkon zgjerimin e kompetencave të luftës

Administrata Trump argumentoi të hënën se çdo zëvendësim i rezolutës mbi përdorimin e forcës nga SHBA-ja pas periudhës së 11 shtatorit duhet të jetë më i gjerë dhe më fleksibël.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis dhe ai i Shtetit, Rex Tillerson, deklaruan se çdo rregullim i ri për të zëvendësuar legjislacionin mbi Autorizimin për Përdorimin e Forcës Ushtarake (AUMF), në fuqi pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “nuk duhet të ketë ndonjë kufizim gjeografik apo kohor”.

“Autorizimet e viteve 2001 dhe 2002 mbi përdorimin e forcës ushtarake mbeten një bazë e shëndoshë për vazhdimësinë e operacioneve ushtarake amerikane kundër një kërcënimi të ndryshueshëm”, tha Mattis para Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit duke shtuar se autorizimet aktuale nuk duhet të anulohen derisa një i ri të jetë plotësisht në fuqi.

“Lufta është krejtësisht e paparashikueshme. Ne s’mund të vendosim një afat kohor të ngurtë për konfliktin kundër një armiku, që u përshtatet kushteve të reja dhe që do të shpresonte në mungesën e vullnetit tonë për të luftuar për aq kohë sa nevojitet”, theksoi ai.

Mattis këmbënguli se çdo autorizim i ri mbi përdorimin e forcës ushtarake nuk duhet të ketë “kufizime gjeografike”.

Ndërsa sekretari Tillerson argumentoi se kufizimet kohore dhe gjeografike e bëjnë SHBA-në “të pambrojtur” përballë “kërcënimeve ndërkombëtare” si organizata terroriste DAESH.

Shefi i diplomacisë amerikane vuri në pah se masat e reja duhet të garantojnë aftësi kundër një armiku, që “ndryshon emrin dhe lëvizjet përtej kufijve”.



Lajme të ngjashme