SHBA – Presidenti Trump sfidon sekretarin Tillerson: Të krahasojmë testet e inteligjencës

Pavarësisht se sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka mohuar zërat për mosmarrëveshje të forta me Presidentin Donald Trump, sinjalet që mbërrijnë nga Uashingtoni tregojnë të kundërtën...

SHBA – Presidenti Trump sfidon sekretarin Tillerson: Të krahasojmë testet e inteligjencës

Presidenti i SHBA-së e ka sfiduar kryediplomatin e tij me një test inteligjence duke dëshmuar edhe njëherë tensionet mes të dyve.

I pyetur nga revista “Forbes” lidhur me pretendimet se Tillerson e ka quajtur “i metë”, Trump u përgjigj me këto fjalë: “Mendoj se është një lajm i rremë. Por nëse e ka thënë këtë, atëherë duhet të krahasojmë testet e inteligjencës. Megjithëse mund t’jua them me siguri se kush do të fitojë.”

Një komunikatë në lidhje me debatin Trump-Tillerson rreth “nivelit të inteligjencës” ka ardhur edhe nga Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, bëri me dije se deklarata e Presidentit Trump për nivelin e inteligjencës së sekretarit Tillerson ishte thjesht një shaka.

“Presidenti Donald Trump i beson 100 për qind sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson”, theksoi Sanders duke vlerësuar debatin në fjalë.

Mediat amerikane spekulojnë për një krisje të raporteve Trump-Tillerson, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballen me një sërë dilemash për çështje të ndjeshme të politikës së jashtme duke filluar nga Koreja e Veriut e deri tek Irani.

Rex Tillerson mohoi në një konferencë për shtyp javën e kaluar pretendimet se po konsideronte dorëheqjen.



Lajme të ngjashme