Mbreti Salman i Arabisë Saudite në vizitë historike në Rusi

Mbreti Salman i Arabisë Saudite, i pari që realizon një vizitë zyrtare në Rusi, mbërriti të mërkurën vonë në Moskë. Në fokus janë marrëdhëniet dhe tregtia dypalëshe, situata në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si dhe çmimet e naftës...

Mbreti Salman i Arabisë Saudite në vizitë historike në Rusi

Mbreti Salman i Arabisë Saudite, i pari që realizon një vizitë zyrtare në Rusi, mbërriti të mërkurën vonë në Moskë.

Sovrani saudit dhe delegacioni shoqërues zbritën në Aeroportin “Vnukovo” të kryeqytetit rus, ku u pritën nga zëvendëskryeministri Dmitry Rogozin dhe zv/ministri i Punëve të Jashtme, Mikhail Bogdanov.

Kjo vizitë, e cila përkon në një periudhë të shënuar nga kriza siriane dhe mosmarrëveshjet e vazhdueshme në lidhje me programin bërthamor iranian, hyn kështu në histori si e para zyrtare e një mbreti saudit në Federatën Ruse.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, kishte deklaruar në një prononcim për mediat pak kohë më parë se Kremlini është i vendosur që të mbështesë procesin e drejtuar nga Riadi për të mundësuar takimin e grupeve opozitare siriane.

Kurse Igor Sechin, shef ekzekutiv i kompanisë më të madhe ruse të hidrokarbureve, “Rosneft”, kishte shprehur gjithashtu disa muaj më parë gatishmërinë dhe vullnetin e Moskës për marrë pjesë në ofertën publike të gjigantit botëror të naftës, “Saudi Aramco”, planifikuar vitin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, Rusia dhe Arabia Saudite vazhdojnë të kenë një bashkëpunim të ngushtë në kuadër të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), por edhe jashtë saj, për ekuilibrimin e çmimeve të naftës.

Në kuadër të kësaj vizite 3-ditore, Mbreti Salman bin Abdulaziz do të takohet me Presidentin rus, Vladimir Putin dhe më pas me Kryeministrin Dmitry Medvedev.

Agjencia saudite zyrtare e lajmeve, “SPA”, theksoi se vizita e Mbretit Salman i përgjigjej një ftese të Putinit dhe dy krerët do të diskutojnë për marrëdhëniet dypalëshe, mjetet për t’i aktivizuar e gjallëruar më shumë ato, si dhe për çështjet rajonale e ndërkombëtare.

Ministri rus i Energjetikës, Alexander Novak, bëri me dije për agjencinë ruse të lajmeve, “TASS”, se Arabia Saudite do të jepte 1 miliard dollarë për projektet energjetike të përbashkëta me Rusinë, pa dhënë shumë detaje.

Vizita në fjalë realizohet ndërkohë që ka mosmarrëveshje mes Moskës dhe Riadit në planin diplomatik, veçanërisht për konfliktet në Jemen dhe Siri.



Lajme të ngjashme