Puigdemont: Shpallja e pavarësisë së Katalonjës mund të vijë brenda pak ditësh

Presidenti i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, deklaroi në në një intervistë të publikuar të mërkurën se qeveria po përgatitej të shpallte pavarësinë e kësaj zone të Spanjës me shumë mundësi në fund të javës...

Puigdemont: Shpallja e pavarësisë së Katalonjës mund të vijë brenda pak ditësh
Grevë e përgjithshme dhe protesta masive në Katalonjë
Grevë e përgjithshme dhe protesta masive në Katalonjë

Grupet përkrahëse të pavarësisë dhe sindikatat tregtare në Katalonjë kanë bërë thirrje për grevë të përgjithshme, ndërkohë që në këtë rajon autonom në pjesën verilindore të Spanjës vijojnë edhe disa protesta masive.

Presidenti i rajonit autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, deklaroi në një intervistë të publikuar të mërkurën se qeveria po përgatitej të shpallte pavarësinë e këtij rajoni të Spanjës me shumë mundësi në fund të javës.

“Ne do të shpallim pavarësinë 48 orë pas numërimit të votave të përdorura jashtë shtetit dhe shpalljes së rezultatit zyrtar të referendumit; me shumë mundësi në fund të javës ose në fillim të javës së ardhshme”, siguroi ai në një intervistë për BBC-në, i pari i publikuar pas votimit.

Carles Puigdemont tha gjithashtu se “një reagim kundërvënieje nga ana e qeverisë qendrore do të përbënte një gabim të ri, që i shtohet një liste të gjatë gabimesh”.

“Pas secilit të këtyre gabimeve, ne kemi dalë më të fortë”, vlerësoi presidenti i rajonit autonom të Katalonjës.

I pyetur se “si mund ta pranojë Madridi copëtimin e Kushtetutës së Spanjës”, Puigdemont u përgjigj me këto fjalë: “Asnjë popull nuk duhet të pranojë një statukuo të padëshiruar, e cila i imponohet me forcë dhe dajak kundër vullnetit. Kjo mund të përfundojë vetëm me demokraci. Ka njerëz që e interpretojnë Kushtetutën si Biblën, sikur të përmbante drejtësinë absolute dhe të ishte më e rëndësishme sesa vullneti popullor.”

Ndërsa kur u pyet nëse ndante të njëjtin mendim me Bashkimin Evropian, i cili deklaroi se referendumi është një problem i brendshëm i Spanjës, ai u përgjigj me një “Jo” të prerë.

“Kjo është shumë zhgënjyese. Besoj se të gjithë e vërejtën dimensionin e problemit. Këtu, askush nuk ndan këtë mendim. Kjo është një çështje evropiane. Për mendimin tim, ne fituam të drejtën që të dëgjojnë. Ndërsa çfarë e kam të vështirë kuptoj është mosinteresimi, indiferentizmi karshi ngjarjeve dhe zhvillimeve të këtushme. Ata nuk deshën të na dëgjojnë. Nëse Evropa vazhdon t’i besojë historisë së Madridit dhe mohon të vërtetë, atëherë e keqkuptojnë plotësisht këtë”, shtoi Puigdemont.

Ai tregoi gjithashtu se si është ndjerë përballë ndërhyrjes së policisë spanjolle gjatë referendumit.

“Sipas meje, ajo ishte jashtëzakonisht për ardhur keq. E pash nga shumë afër. Ata (policët) thyen dyer e dritare pa bërë kurrfarë dallimi, madje edhe në qendrën e votimit ku do të votoja unë. Dru nga policia hëngrën edhe njerëz, që nuk po bënin me të vërtetë asgjë. Nëse rrahim gratë e moshuara dhe njerëzit, që nuk reagojnë në asnjë lloj mënyre, atëherë si mund t’i themi botës se Evropa është parajsë e demokracisë? Kjo është e papranueshme. Ne s’kemi parë një dhunë joproporcionale dhe brutale të këtillë që prej vdekjes së diktatorit Franco e deri më sot”, u shpreh Puigdemont.

Të martën, mijëra persona në këtë rajon autonom protestuan dhunën joproporcionale të ushtruar nga policia kombëtare dhe xhandarmëria spanjolle gjatë ndërhyrjes kundër referendumit të jashtëligjshëm.

Megjithatë ky referendum nuk arriti asnjërën prej garancive, që shoqërojnë një votim normal; ndërkohë që shteti spanjoll goditi të gjithë infrastrukturën, e cila do t’i mundësonte të paraqiste rezultate të besueshme.



Lajme të ngjashme