Kryeministri i Irakut kërkon anulimin e referendumit kurd

Kryeministri i Irakut, Haydar al-Ibadi në fjalën që mbajti të mërkurën në Parlament ka kërkuar anulimin e referendumit të jashtëligjshëm për pavarësi që u mbajt më 25 shtator në administratën rajonale kurde të Irakut.

Kryeministri i Irakut kërkon anulimin e referendumit kurd

“Referendumi duhet anuluar dhe duhet filluar dialogu brenda kornizës kushtetuese”, ka thënë Ibadi në fjalimin drejtuar parlamentit të mbledhur sot në seancë për të diskutuar mbi referendumin kontradiktor. Në këtë seancë merrnin pjesë Kryeministri Haydar al-Ibadi, ministrat e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme, Naftës, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Irakut. Në seancën e bojkotuar nga partitë kurde ishin të pranishëm 184 deputetë.

Në fjalën e tij Kryeministri Ibadi tha se nuk do të bëjnë asnjë lloj bisedimesh në lidhje me referendumin kontradiktor, duke theksuar se referendumi duhet anuluar.

“U bëj thirrje liderëve kurdë; na thoni, doni apo nuk doni luftë”,- u shpreh Ibadi, duke shtuar se i gjithë prioriteti i tyre është të garantojnë sigurinë e qytetarëve.

“Ashtu si për qytetarët me origjinë kurde ne duhet të garantojmë edhe sigurinë e qytetarëve turkmenë dhe të krishterë. Sulmi, që do të ndodhte ndaj një qytetari të çfarëdoshëm kurd, ne do ta konsiderojmë si sulm të kryer kundër nesh”, tha Ibadi.

Gjithashtu Ibadi bëri thirrje edhe për tërheqjen e Peshmergëve nga zonat e kontestuara, sidomos nga qyteti i Kirkikut.

Në orët e para të ditës së sotme administrata rajonale kurde e Irakut kishte refuzuar ti rikthente Bagdadit kontrollin e aeroporteve në Erbil dhe Suleymaniye.

Pas këtij zhvillimi Aviacioni Civil Irakian mori vendim për pezullimin e fluturimeve ndërkombëtare në drejtim të këtyre dy aeroporteve dhe anasjelltas duke filluar nga e premtja e kësaj jave.

Më herët Kryeministri i Irakut, al-Ibadi kishte paralajmëruar ndalimin e të gjitha fluturimeve ndërkombëtare të administratës rajonale kurde të Irakut në rast se kjo e fundit nuk do t’ia dorëzonte brenda 3 ditëve Bagdadit kontrollin e kufijve.

 


Lajme të ngjashme