Kinë – Palestina bëhet anëtare e Interpol-it pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit

Interpol-i njoftoi përmes një komunikate me shkrim në rrjetin social “Twitter” votimin dhe aprovimin e kërkesave për anëtarësim të Palestinës dhe Ishujve Solomon gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të organizatës në Pekin...

Kinë – Palestina bëhet anëtare e Interpol-it pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit

Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (Interpol) miratoi të mërkurën kërkesën e Palestinës për anëtarësim.

Interpol-i njoftoi përmes një komunikate me shkrim në rrjetin social “Twitter” votimin dhe aprovimin e kërkesave për anëtarësim të Palestinës dhe Ishujve Solomon gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të organizatës në kryeqytetin Pekin të Kinës.

“Shteti i Palestinës dhe Ishujt Solomon janë tashmë anëtarë të Interpol-it”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e sipërcituar.

Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit, vend kundër anëtarësimit të Palestinës në Interpol, kërkonte me ngulm që ky votim të shtyhej të paktën një vit.

Më parë gjatë ditës, Ministria e Jashtme izraelite deklaroi në një njoftim se ata dhe vendet e tjera kishin shtyrë votimin pas ankimit për parregullsi.

“Ne vazhdojmë përpjekjet tona”, thuhet në këtë njoftim duke theksuar angazhimin e Izraelit për të bllokuar anëtarësimin e Palestinës.

Një përpjekje e mëhershme për anëtarësimin e Palestinës në Interpol ishte penguar gjatë takimit pararendës në Indonezi të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, kur trupi drejtues vendosi të shtyjë çdo votim për pranimin e anëtarëve të rinj.

“Pavarësisht kundërshtimit të madh nga Izraeli, Palestina është pranuar të mërkurën si anëtare e plotë e rrjetit global të policisë, sikurse dhe Ishujt Solomon”, konfirmoi Interpol-i.



Lajme të ngjashme