Abadi: Referendumi kurd për pavarësi, antikushtetues dhe rrezik i madh për Irakun e rajonin

“Referendumi do ta shtyjë Irakun dhe të gjithë rajonin në një rrezik të madh”, deklaroi Kryeministri Haider al-Abadi duke rikonfirmuar se ai është antikushtetues...

Abadi: Referendumi kurd për pavarësi, antikushtetues dhe rrezik i madh për Irakun e rajonin

Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, rikonfirmoi të martën vonë se Bagdadi hedh poshtë referendumin për pavarësi, që administrata rajonale kurde në veri të Irakut planifikon të realizojë më datë 25 shtator, duke siguruar që s’do të lejojnë kurrë copëtimin e vendit.

Në një konferencë shtypi nga kryeqyteti i vendit, Abadi bëri me dije se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kanë folur mbi rëndësinë e zgjidhjes përmes dialogut të problemeve me administratën rajonale kurde në veri të Irakut.

“Këshilli i Ministrave konfirmoi përsëri se referendumi në administratën rajonale kurde në veri të Irakut është i antikushtetues”, tha ai.

“Faktet e kryera të njëanshme dhe imponimet me forcë janë të papranueshme. Referendumi në fjalë bie ndesh madje dhe me legjislacionin e vetë administratës rajonale kurde në veri të Irakut”, u shpreh kreu i Bagdadit zyrtar duke ftuar liderët kurdë që të shkojnë në kryeqytetin e vendit për dialog.

Pas vitit 2003 – vijoi ai – populli kurd ka arritur përfitime, të cilat nuk i kishte siguruar dot ndër shekuj dhe kjo është e drejta e tyre më e natyrshme.

“Kur të konkretizohen hapat e bëra për realizimin e referendumit, ata do t’i humbasin të gjitha përfitimet e tyre. Neve do të na tërheqin në trazira të reja, ndaj i paralajmëroj kundër hapave të dëmshme për të gjithë. Respektoj shpresën e vëllezërve të mi kurdë, por s’do të lejojmë kurrë copëtimin e vendit. I bëj thirrje popullit kurd që ta bojkotojë këtë referendum, sepse ky s’do të jetë asnjëherë në dobi të tyre. Referendumi do ta shtyjë Irakun dhe të gjithë rajonin në një rrezik të madh”, saktësoi Kryeministri Haider al-Abadi.



Lajme të ngjashme