Londra thërret Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mbledhje urgjente për dhunën në Arakan

Britania e Madhe bëri thirrje të martën për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar zhvillimet në Arakan (Rakhine). Mbledhja pritet që të zhvillohet gjatë ditës së mërkurë...

Londra thërret Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mbledhje urgjente për dhunën në Arakan

Londra bëri thirrje të martën për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar zhvillimet në Arakan (Rakhine). Mbledhja pritet që të zhvillohet gjatë ditës së mërkurë.

Përfaqësuesi i përhershëm i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, ambasadori Matthew Rycroft, njoftoi përmes rrjeteve sociale se Britania e Madhe ka bërë thirrje për takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar zhvillimet në shtetin Arakan të Mianmarit (Birmani).

“Britania e Madhe i ka bërë kërkesë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën në Mianmar. Pritet që të diskutohen problemet, të cilat vazhdojnë prej një kohe të gjatë në Arakan. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për maturi”, ka theksuar ambasadori Rycroft.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritet që të diskutojë çështjen e Arakanit ditën e mërkurë, mirëpo Presidenca e këtij organi fuqiplotë nuk është prononcuar ende zyrtarisht mbi takimin në fjalë.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shprehu të martën shqetësimin e tij të thellë për vrasjen e civilëve gjatë “operacionit të sigurisë” në Arakan.

Pak ditë më parë, Zyra e Këshilltarit Shtetëror të Mianmarit theksoi se sulmet vdekjeprurëse të 25 gushtit në zonat kufitare të shtetit perëndimor të Arakanit lanë të vrarë një ushtar, 10 oficerë policie, një zyrtar të emigracionit dhe 77 militantë.

Mirëpo nga raportimet e mëvonshme të mediave u zbulua se forcat e sigurisë së Mianmarit kishin përdorur forcë të tepruar dhe dhunë për të zhvendosur mijëra fshatarë myslimanë të kësaj zone duke shkatërruar shtëpitë me mortaja dhe armë të tjera.

Zëdhënësja e Këshillit Rohingian Evropian (ERC), Anita Schug, deklaroi të martën në Gjenevë se vetëm gjatë 3 ditë të kaluara janë vrarë 2-3 mijë myslimanë si pasojë e sulmeve të ushtrisë birmane në Arakan.

Ky rajon po ballafaqohet me tensione në rritje të vazhdueshme mes popullsisë së saj budiste dhe myslimanë që nga shpërthimi i dhunës në vitin 2012.



Lajme të ngjashme