Koment – Gjurmët e gishtave të vrasësit

Vetëm pak muaj para se ish-presidentiameriakn, Barack Obama, t’i jepte lamtumirën Shtëpisë së Bardhë, disa kriza politike dhe ushtarake shumë interesante shpërthyen në shtetet veriore të Evropës dhe ato perëndimore të Ballkanit...

Koment – Gjurmët e gishtave të vrasësit

Vetëm pak muaj përpara se ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, t’i jepte lamtumirën funksionit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, disa kriza politike dhe ushtarake shumë interesante shpërthyen në shtetet veriore të Evropës dhe ato perëndimore të Ballkanit.

Befas filluan të qarkullojnë lajme se avionë luftarakë apo zbulues të Rusisë kishin dhunuar hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s në Evropën Veriore. Pas këtyre lajmeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior publikuan mesazhe diplomatike me tone të ashpra. Dhe, pa kaluar shumë, Uashingtoni hodhi idenë e transferimit të armëve në Evropë.

Teksa në mbarë botën po diskutohej ende kjo çështje, këtë herë agjencitë ndërkombëtare servirën lajme se avionët rusë kishin dhunuar hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Mirëpo këto lajme u pritën me dyshim, pasi disa agjenci kanë publikuar edhe në të kaluarën e tyre kësisoj lajmesh manipuluese. Por, në të njëjtën kohë, lajmet në fjalë u transmetuan më në detaje gjithashtu nga Agjencia Anadolli (AA), një ndër më të besuarat anembanë botës dhe agjencia zyrtare e lajmeve të Turqisë.

Menjëherë pas këtyre lajmeve të AA-së, ne, si gazetarë dhe publicistë të fokusuar mbi lajmet rreth luftërave dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, realizuam debate mjaft serioze qoftë në organet mediatike publike, qoftë në grupet private të postave elektronike, në lidhje me mundësinë e shndërrimit të Ballkanit përsëri në një depo armësh. Dhe, si rezultat i këtyre debateve, u krijua opinioni i përbashkët se Ballkani dhe Evropa Lindore do të transformohen sërish në depo të armëve.

Eksperienca mesatarisht 25-vjeçare e të gjithë neve në fushën e gazetarisë së luftës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, fatkeqësisht, na dha të drejtë: SHBA-ja ka depozituar mijëra tonë armë, municione dhe mjete lufte në Evropën lindore.

Pa kaluar shumë nga ky depozitim masiv i armatimeve, në mediat ndërkombëtare u publikuan lajme të tjera se avionët rusë kishin shkelur edhe hapësirën ajrore të Francës, edhe atë të Mbretërisë së Bashkuar.

Anglia reagoi shumë ashpër dhe urdhëroi forcat detare dhe ajrore të saj që të marrin urgjentisht “masa parandaluese”. Marina dhe forcat ajrore britanike janë tashmë prej muajsh në gjendje alarmi për të mbrojtur shelfin detar dhe hapësirën ajrore të vendit.

Ndërkohë që e gjithë bota po merrej me këto zhvillime, në media rrodhën informacione në lidhje me dhunimin e ujërave territoriale të Kinës nga luftanijet amerikane, të Japonisë nga anijet luftarake kineze, si dhe të Rusisë e Kinës nga luftanijet japoneze. Vendet në fjalë dërguan luftanijet e tyre më të sofistikuara e të pajisura me armët më të avancuara në Detin Kinez, atë të Japonisë dhe në Paqësor; kurse rusët ndërmorën një sërë masash jo fort të zakonshme për të siguruar ujërat e tyre territoriale, kufij detarë që ndërthuren me ata kinezë dhe japonezë.

Gjatë të njëjtës periudhe, avionët luftarakë rusë tentuan që të shkelin gjithashtu hapësirat ajrore të vendeve të lagura nga Deti i Zi, përfshi këtu edhe Turqinë. Vlen të përmendet se të gjitha vendet, kufijtë e të cilave u dhunuan nga Rusia, janë anëtare të NATO-s dhe njëkohësisht aleate të SHBA-së.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre agresioneve ruse në Detin e Zi, SHBA-ja mori masa për rritur edhe fuqinë e saj luftarake në pellgun e Detit të Zi. NATO-ja propozoi gjithashtu ngritjen e një baze kundër Rusisë në territoret turke. Por, fatmirësisht, lideri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e refuzoi prerazi këtë propozim të çmendur. Përkundrazi, edhe Turqia do të ishte bërë pjesë e kësaj loje të marrëzishme.

Në vijim erdhën testet raketore të Koresë së Veriut dhe dislokimet ushtarake amerikane në Detin Korean (Deti i Lindjes).

Më pas, temperaturat u ngritën papritmas gjithashtu në Filipine, Ngushticën e Arakanit, në tensionin Indi-Pakistan dhe Oqeanin Indian. Vendet e rajonit u dhanë ushtrive të tyre alarmin e kuq.

Kostoja e të gjitha këtyre gjendjeve të alarmit është maksimalisht e lartë. Shpenzimet e shtrenjta të alarmit të vazhdueshëm u ngarkojnë një barrë shumë të rëndë buxheteve të shteteve në fjalë.

Teksa po jetonim tërë këto zhvillime shqetësuese, menjëherë më erdhi në mendje situata përpara rënies së Bllokut Lindor, të cilën e kam dëshmuar personalisht si gazetar. Mu shfaq si vizion Iniciativa e Mbrojtjes Strategjike (SDI), e njohur gjithashtu si “Lufta e Yjeve”, projekti absurd i presidentit të atëhershëm amerikan, Ronald Reagan dhe udhëheqësit sovjetik, Leonid Brezhnev.

Asokohe kishte mbipunësim dhe teknologjia ishte zhvilluar dukshëm. Rrjedhimisht, po regjistrohej një rënie e madhe e kërkesës për fuqi punëtore. Ndërsa fokuset e kapitalit sapo ishin krijuar. Por sindikatat dhe organizatat punëtore bënin rezistencë ndaj këtij ndryshimi dhe transformimi. Njëherësh ato nuk ishin në gjendje as që të prodhonin një zgjidhje për këtë transformim të detyrueshëm. Si pasojë, vala e grevave sindikaliste kaploi jo vetëm dy shtetet më të fuqishme perëndimore, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, por edhe vendin kritik të bllokut komunist, Poloninë.

Greva e filluar në Poloni nga Lech Walesa, president i lëvizjes së famshme sindikaliste të Solidaritetit, si dhe humbja e rusëve në Afganistan, solli rënien e regjimit komunist në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik.

Kryeministrja e atëhershme britanike, Margaret Thatcher, gjerësisht e njohur si “Zonja e Hekurt”, si dhe Presidenti Reagan, morën me vete mbështetjen ushtarake për të thyer grevat e punëtorëve dhe kësaj ia arritën me sukses. Kështu, modeli prodhues i 1947-s u braktis për t’ia lënë vendin atij të dominuar nga teknologjia.

Ndërsa tani, akumulimi i kapital ka arritur përmasa të pabesueshme anembanë botës. Përballë kapitalit japonez, amerikan dhe evropian është akumuluar kapitali kinez, rus, korean dhe madje turk, i cili është ngritur përtej kufijve të paramenduar. Sot, kushtet e tregut dhe legjislacioni aktual janë të pamjaftueshme për menaxhimin e prodhimit të këtij kapitali.

Kapitali, i cili po rinovon konceptin e prodhimit dhe ndarjes, duket se na ka bërë aktorë në një skenar për të dizajnuar sërish botën.

Sepse, veçanërisht në SHBA dhe BE, ekonomitë shtetërore kanë falimentuar. Vetëm borxhi publik llogaritet mbi 20 trilionë dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç Gjermanisë, shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropian ose kanë falimentuar, ose janë në prag të falimentimit; ndërkohë që kapitalet në këto vende janë bërë shumë më të fuqishme sesa shtetet e tyre.

Uroj dhe shpresoj që tranzicioni në modelin e ri të prodhimit dhe konsumit të realizohet pa gjakderdhje, në paqe të plotë. Përndryshe, gjurmët e gishtave të vrasësit janë gjetur që para se gjëma e madhe të bëhet...

 

Autor: Erdal Simsek - Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme