Musa Ukabir, i dyshuari i sulmit në Barcelonë

Policia spanjolle deklaroi se Musa Ukabir është i dyshuari kryesor në sulmin terrorist që ndodhi të enjten në darkë në Barcelonë.

Musa Ukabir, i dyshuari i sulmit në Barcelonë

Kurse Driss Ukabir, vëllai i madh 18-vjeçarit Musa Ukabir, u arrestua pas sulmit.

Guvernatori i Ripoll-it, Jordi Munell tha për televizionin TV3 të Katalonjës se Driss Ukabir ishte arrestuar ndërsa po shkonte në polici për të deklaruar humbjen e kartës së identitetit.  

Kur 28-vjeçari me shtetësi marokene, Driss Ukabir, tha se mendonte se kartën e identitetit mund t’ia ishte vjedhur i vëllai i tij, letërnjoftimi në fjalë u gjet në vendin e ngjarjes.

Policia është fokusuar në opsionin që, Musa Ukabir, i cili ngjan shumë me vëllain e madh të tij Driss Ukabir, kamionçinën mund ta ketë marrë me qira duke përdorur kartën e identitetit të vëllait. 

Sipas përcaktimeve Musa jeton në Barcelonë, kurse vëllai i madh i tij, Driss banon në Ripoll.

Burimet e antiterrorit kanë raportuar se sulmi është akt i një celule të përbërë nga 12 persona.

Ndërkaq është rritur në 14 numri i viktimave në ngjarjen e të enjtes, ku një furgon hipi mbi trotuar në qytetin e Barcelonës në Spanjë dhe u fut brenda turmës së njerëzve. Në ngjarje janë plagosur rreth 100 vetë. 

Ministri i Brendshëm i Rajonit Autonom të Katalonjës, Joaquim Forn, tha se 15 prej të plagosurve ishin në gjendje të rëndë, ndërsa u shpreh i shqetësuar për rritjen e numrit të të vdekurve.

Ndërkohë, policia katalanase përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter njoftoi "kapjen e personit të tretë që kishte lidhje me sulmet në Ripoll".

Edhe radioja Cadena Ser njoftoi se policia është në kërkim të një automjeti dhe 2 personave të dyshuar. 

Shefi i policisë katalanase Josep Lluis Trapero në një konferencë për shtyp deklaroi se 2 të dyshuarit e sulmit të ishin arrestuar në qytetet Alcanar dhe Ripoll.

Të njëjtat burime njoftuan se një person i armatosur kishte bastisur një restorant, ku ai ishte arrestuar gjatë operacionit të policisë pasi kishte kryer një akt pengmarrjeje në restorant.

Trenat dhe stacionet e metrosë në zonën turistike të La Ramblas, ku ndodhi ngjarja, janë mbyllur.

Në rajonin autonom të Katalonjës janë shpallur tri ditë zie.

Kryeministri Mariano Rajoy tha në një deklaratë që bëri në llogarinë e tij të Twitter se ai ishte në kontakt me autoritetet dhe se prioriteti i qeverisë ishte gjendja e të plagosurve.

Terroristët kurrë nuk do të ishin në gjendje të shkatërronin një popull të bashkuar, - tha Rajoy duke shtuar se "Spanja është pranë viktimave dhe familjeve të tyre".

Pas sulmit të organizatës terroriste DEAS, Spanjës vazhdojnë ti vijnë mesazhe ngushëllimi nga e bota.



Lajme të ngjashme