Qipro – I dërguari i OKB-së jep dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet norvegjeze

Diplomati norvegjez, Espen Barth Eide, ka konfirmuar dorëheqjen e tij si i dërguari i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Qipron...

790455
Qipro – I dërguari i OKB-së jep dorëheqjen për të kandiduar në zgjedhjet norvegjeze

Diplomati norvegjez, Espen Barth Eide, ka konfirmuar dorëheqjen e tij si i dërguari i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Qipron.

Eide njoftoi të hënën përmes rrjetit social “Twitter” se dorëheqja e tij ishte zyrtare. Tani, ai do të paraqesë kandidaturën për deputet nga Partia Laburiste e Norvegjisë për zgjedhjet legjislative të shtatorit.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha në një deklaratë falënderuese se Eide i kishte inkurajuar udhëheqësit qipriotë, “duke i qasur ata më afër se kurrë më parë me vizionin e përbashkët për një Qipro të bashkuar”.

“I dërguari norvegjez ka shërbyer për 27 muajt e fundit me përkushtim, besnikëri dhe kreativitet të palëkundur”, u shpreh Guterres.

“Eide ndihmoi dy liderët e Qipros të bënin progres të paparë drejt arritjes së një zgjidhjeje të zbatueshme dhe të qëndrueshme për mosmarrëveshjen e vjetër”, shtoi ai.

Më datë 3 gusht, Espen Barth Eide  vizitoi liderin grekoqipriot, Nicos Anastasiades dhe Presidentin e Republikës Turke të Qipros së Veriut, Mustafa Akinci, përpara se të largohej nga ishulli.

Pak ditë më vonë, ai ka shkruar në “Twitter” rreth kujtimeve të tij për Qipron dhe shpresës së tij për t'u kthyer një ditë “në një ishull të bashkuar”.

Dorëheqja e diplomatit norvegjez shënoi fundin e një tjetër periudhe në negociatat për zgjidhjen e problemit qipriot.



Lajme të ngjashme