Seuli i kërkon Phenianit të kthehet në tryezën e bisedimeve

Koreja e Jugut i kërkoi të dielën Phenianit që të rikthehej në tryezën e bisedimeve dhe t’u jepte fund provokimeve të komunitetit ndërkombëtar.

Seuli i kërkon Phenianit të kthehet në tryezën e bisedimeve

Koreja e Jugut i kërkoi të dielën Phenianit që të rikthehej në tryezën e bisedimeve dhe t’u jepte fund provokimeve të komunitetit ndërkombëtar, i cili me anë të OKB-së vendosi të shtunën sanksione të tjera kundër Koresë së Veriut.

Duke bërë të ditur që sanksionet ishin miratuar njëzëri edhe nga Kina dhe Rusia, dy aleate të Phenianit, zëdhënësi i ministres së Jashtme koreanojugore, Kang Kyung Wha, i përshëndeti ato si mesazhe me vlerë.

“Ne i kërkojmë Koresë së Veriut që ta marrë seriozisht mesazhin e OKB-së dhe të ndalojë menjëherë provokimet. Ajo duhet t’i drejtohet rrugës së dialogut për denuklearizimin dhe paqen”, tha zëdhënësi.

Edhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi u kërkoi të dielën të gjitha palëve të përfshira që t’i jepnin fund programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe t’i riktheheshin tryezës së negociatave.

“Propozimi ynë është që të gjitha palët e përfshira në çështjet bërthamore të rikthehen në tryezën e bisedimeve, të gjejnë zgjidhje nëpërmjet bisedimeve për të arritur deri te denuklearizimi i Gadishullit Korean”, tha Wang për gazetarët gjatë takimit të vendeve të ASEAN-it, që po zhvillohet në Manila.



Lajme të ngjashme