Izraeli heq detektorët e metalit nga Al-Aksa, zëvendësohen me teknologji të avancuar

Izraeli është tërhequr më në fund pas reagimit dhe presionit ndërkombëtar. Policia ka hequr gjatë natës detektorët e metalit, të cilët i kishte instaluar në portat e Xhamisë Al-Aksa...

Izraeli heq detektorët e metalit nga Al-Aksa, zëvendësohen me teknologji të avancuar

Izraeli është tërhequr më në fund pas reagimit dhe presionit ndërkombëtar.

Policia izraelite ka hequr gjatë natës detektorët e metalit, të cilët i kishte instaluar në portat e Xhamisë Al-Aksa. 

Aparaturat elektronike në fjalë u çmontuan nga hyrjet e xhamisë dhe u transportuan me kamionë nga punonjës të bashkisë.

Ish-drejtori i Xhamisë Al-Aksa, Sheiku Najeh Bakirat, bëri me dije se autoritetet izraelite nuk kanë hequr ende kamerat mbikëqyrëse. Ai shtoi se masa e vetme e heqjes së detektorëve të metalit nuk mjafton dhe nuk i plotëson kërkesat e palestinezëve duke theksuar se këtë gjë nuk do ta pranojnë kurrsesi.

Nga ana tjetër, Kabineti i Sigurisë së Izraelit njoftoi përmes një komunikate me shkrim se detektorët e metalit do të zëvendësohen me teknologji të avancuar.

“Kabineti i Sigurisë pranoi rekomandimin e njësive përkatëse që të gjitha kontrollet fizike të ndryshojnë duke kaluar nga inspektimi me detektorë metali tek një tjetër i bazuar në teknologji më të avancuara. Në këtë mënyrë do të garantohet siguria e besimtarëve në zonën e Qytetit të Vjetër (Jerusalemi brenda mureve rrethuese) dhe në Xhaminë Al-Aksa”, theksohet në komunikatën e lartpërmendur.

Sipas autoriteteve izraelite, rreth 100 milionë shekelë (afro 28 milionë dollarë) janë caktuar për t’u shpenzuar për pajisjet e reja dhe për të rritur praninë e oficerëve të policisë përreth Xhamisë Al-Aksa, deri në realizimin e planit në lidhje me masat e reja teknologjike të sigurisë, për të cilin nevojitet 6 muaj kohë.

Nga ana tjetër, policia izraelite ka përdorur gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese gjatë natës për të shpërndarë të rinjtë palestinezë, që ishin tubuar në Portën e Luanit në Jerusalem, duke shkaktuar disa të plagosur.

Kriza e fundit, e cila tashmë është përhapur edhe jashtë Qytetit të Vjetër, u përshkallëzua më 14 korrik, kur policia izraelite vrau 3 palestinezë para dhe në zonën e shenjtë të Haram al-Sharif. E gjithë kjo rezultoi me trazira të përgjithshme, në të cilat u plagosën dhjetëra njerëz, përfshi këtu edhe 2 policë izraelitë që humbën jetën në spital.

Pas kësaj ngjarjeje, forcat izraelite të sigurisë ndaluan hyrjen e myslimanëve në Xhaminë Al-Aksa duke i detyruar palestinezët që të falin namazin e xhumasë jashtë mureve rrethuese të Qytetit të Vjetër, për herë të parë që nga pushtimi i vitit 1967. Ndërsa më 16 korrik, Izraeli hapi vetëm 2 nga portat e këtij vendi të shenjtë për të gjithë myslimanët, por duke vendosur detektorë metali në hyrje.

Tensioni si pasojë e këtyre zhvillimeve shkaktoi deri më sot vdekjen e 3 palestinezëve dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve.



Lajme të ngjashme