SHBA – Ish-ylli i futbollit amerikan, O.J. Simpson, pranë lirimit me kusht

O.J. Simpson, ish-yll i futbollit amerikan dhe aktor i njohur, ka fituar lirinë me kusht pasi vuajti 9 vjet heqje lirie në një burg në Nevada...

SHBA – Ish-ylli i futbollit amerikan, O.J. Simpson, pranë lirimit me kusht

Ish-yllit të futbollit amerikan dhe aktorit të njohur, O.J. Simpson, i është dhënë liria me kusht pasi vuajti 9 vjet heqje lirie në një burg në Nevada.

Simpson falënderoi bordin e lirisë me kusht dhe u shfaq mjaft i emocionuar pasi ata miratuan kërkesën e tij.

Veç famës si sportist dhe aktor, Simpson u bë edhe më i famshëm, por në anën e gabuar të ligjit, pasi u akuzua për vrasjen e gruas së tij dhe një miku të saj.

Mirëpo në vitin 1995, pas një gjyqi maratonë të transmetuar në televizor, 70-vjeçari u shpall i pafajshëm për vrasjen e dyfishtë.

Sidoqoftë, ai nuk u qëndroi dot larg problemeve, pasi në vitin 2008 u shpall fajtor për grabitje me armë dhe krime të tjera të kryera në një hotel në Las Vegas.

Para bordit të lirisë me kusht, O.J. Simpson tha se ishte përpjekur të shlyente gabimet e tij me sjellje shembullore dhe gjithashtu rrëfeu se ishte penduar për ato që kishte bërë.

Ai fitoi lirinë më kusht pasi zyrtarë të burgut konfirmuan fjalët e tij, madje edhe një prej viktimave të grabitjes tha se ish-ylli i futbollit amerikan është një njeri tjetër dhe nuk përbën rrezik për shoqërinë.

Vajza e tij, Arnelle Simpson, gjithashtu dëshmoi para bordit duke thënë se i ati meriton një shans të dytë.

Lirimi i tij do të bëhet në muajin tetor.



Lajme të ngjashme