Brazil – Ish-presidenti Lula da Silva dënohet për korrupsion dhe pastrim parash

Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, u dënua të mërkurën me 9 vite e 6 muaj burg dhe 669 mijë rialë brazilianë (rreth 209 mijë dollarë amerikanë), nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash...

Brazil – Ish-presidenti Lula da Silva dënohet për korrupsion dhe pastrim parash

Ish-presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, u dënua të mërkurën me 9 vite e 6 muaj burg dhe 669 mijë rialë brazilianë (rreth 209 mijë dollarë amerikanë), nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Kryetari i Gjykatës 13. Federale të Kuritibës, Sergio Moro, bëri me dije se Lula da Silva mund të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë dhe ai nuk do të arrestohet derisa procesi gjyqësor të përfundojë.

Moro theksoi gjithashtu se ish-kreu i shtetit, krahas dënimit me heqje lirie, do ta ketë të ndaluar që marrë poste zyrtare apo të punojë në administratë përgjatë 19 viteve të ardhshme.

Pasi tërhoqi vëmendjen se kjo është hera e parë qysh prej vitit 1988 e këtej që një ish-president i Brazilit dënohet me burg, gjykatësi Moro u shpreh me këto fjalë: “Është për të ardhur keq që një ish-president gjykohet për vepra penale. Por ligji është mbi ju, pavarësisht sa të gjatë mund të jenë krahët tuaj.”

Mirëpo ai do të lihet i lirë gjatë procesit të apelit. Ish-presidenti akuzohet se ka marrë në formën e një ryshfeti një apartament në bregdet nga kompania ndërtimore “OAS”.

Çështja është pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion, ku është e përfshirë kompania shtetërore e naftës “Petrobras”, që ka turbulluar politikën braziliane dhe ka rezultuar me arrestimin e shumë krerëve të bizneseve e politikanëve të lartë.

Më 14 shtator 2016, prokurorët e ngarkuar për hetimin e quajtur “Operacioni i Larjes së Makinave” e kishin akuzuar ish-presidentin brazilian për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa 6 ditë më pas aktakuza ishte pranuar duke e çuar 71-vjeçarin në bankën e të akuzuarit.

Da Silva mohon me forcë akuzat dhe këmbëngul se procesi gjyqësor kundër tij është i motivuar politikisht. Avokatët e tij këmbëngulin se nuk ekziston asnjë provë, e cila mund të mbështesë akuzat.

President mes viteve 2003 dhe 2010, Luiz Inacio Lula da Silva udhëheq kohëve të fundit sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. Çështja do të shqyrtohet nga një grup gjyqtarësh dhe nëse ata e mbështesin dënimin, sipas legjislacionit brazilian, ai nuk do të lejohet të shpallë kandidaturën për postin e presidentit.



Lajme të ngjashme