Shënim – Takimi i parë Trump-Putin pas 6 muajve marrëdhënie të ftohta

Presidenti amerikan, Donald Trump, u takua të premten për herë të parë me homologun rus, Vladimir Putin, në kuadër të Samitit të G20-s, në përpjekje për të përmirësuar një marrëdhënie të vështirë mes dy vendeve...

putin trump.jpg
putin trump.jpg
Putin - Trump görüşmesi başladı.jpg

Presidenti amerikan, Donald Trump, u takua të premten për herë të parë me homologun rus, Vladimir Putin, në kuadër të Samitit të G20-s, në përpjekje për të përmirësuar një marrëdhënie të vështirë mes dy vendeve.

Ky takim u realizua në një atmosferë të tendosur dhe kaotike. Samiti i 20 drejtuesve më të fuqishëm në botë u trondit nga përplasje të shumta mes policëve dhe militantëve antiglobalistë në rrugët e Hamburgut.

“Takimi, që zgjati dy orë dhe 15 minuta, u përqendrua tek situata në Ukrainë, Siria, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike”, theksoi presidenti rus në përfundim të takimit pa dhënë shumë detaje.

“Është një nder të jesh me ju”, deklaroi Donald Trump në fillim të takimit duke përshëndetur homologun e tij me një shtrëngim duarsh.

Presidenti amerikan theksoi se shpresonte që diskutimi i tyre të sjellë elemente shumë pozitive për Rusinë, SHBA-në dhe të gjithë ata që janë përfshirë.

“Jam i kënaqur që ju takoj dhe shpresoj që ky takim do të sjellë një rezultat pozitiv”, theksoi Putin.

“Ne kemi biseduar në telefon, por bisedat telefonike nuk janë kurrë të mjaftueshme”, shtoi ai.

Dy drejtuesit kanë biseduar në telefon disa herë që prej ardhjes në pushtet të Donald Trump në muajin janar, por kurrë nuk ishin takuar kokë më kokë.

Pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump kishte lënë të kuptohej afrimin mes dy vendeve.

Por marrëdhëniet ruso-amerikane janë ftohur sërish që prej disa kohësh, sidomos pas dyshimeve për bashkëpunim mes ekipit të fushatës së Donald Trump dhe Kremlinit, si dhe sanksioneve të reja amerikane kundër Moskës në krizën ukrainase.

Të enjten, Donald Trump kritikoi hapur nga Varshava rolin destabilizues të Rusisë, akuzuar veçanërisht nga perëndimorët për mbështetje të separatistëve prorusë në Ukrainë.

Motive të tjera të krisjes mes tyre nuk mungojnë, nga lufta civile në Siri e deri te dyshimet për bashkëpunim me Rusinë, ku është përfshirë dhe Trump.

Mbi Sirinë, dy vendet vazhdojnë të dialogojnë pavarësisht mosmarrëveshjeve të shumta, veçanërisht pas shkatërrimit nga amerikanët të një avioni sirian që kërcënonte, sipas tyre, organizatën terroriste PYD/YPG, aleate e Uashingtonit kundër DAESH-it.



Lajme të ngjashme