Lavrov: Marrëveshje SHBA-Rusi për armëpushim në jugperëndim të Sirisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë rënë dakord të premten për një armëpushim në pjesën jugperëndimore të Sirisë...

766899
Lavrov: Marrëveshje SHBA-Rusi për armëpushim në jugperëndim të Sirisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia kanë rënë dakord të premten për një armëpushim në pjesën jugperëndimore të Sirisë.

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, njoftoi se të dyja vendet kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një armëpushim në jugperëndim të Sirisë, pasi Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Kryetari i Shtetit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, u takuan për herë të parë në Samitin e Liderëve të G20-s, në Hamburg të Gjermanisë.

“Marrëveshja përfshin armëpushimin në rajonet jugperëndimore siriane të Deras dhe Kuneitras duke nisur nga dita e diel (9 korrik), në orën lokale 12.00 të Damaskut”, theksoi Sergey Lavrov.

Uashingtoi – vijoi ai – u angazhua që grupet terroriste në ato zona t’i qëndrojnë marrëveshjes në fjalë.  

“Siguria përreth zonave pa konflikt do të garantohet fillimisht nga forcat dhe mjetet e policisë ushtarake ruse në koordinim me jordanezët dhe amerikanët”, shtoi kreu i diplomacisë ruse.

Më tej, Lavrov tërhoqi vëmendjen se bisedimet vazhdojnë për formimin e zonave pa konflikt në pjesët veriore të Sirisë gjithashtu.

“Në kryeqytetin Astanë të Kazakistanit, u shpalos pak ditë më parë një koncept i caktuar për zonat përreth Humusit dhe Gutës”, sqaroi ai.

Kurse sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili foli në një konferencë për shtyp gjatë një pauze të Samitit të G20-s, bëri me dije se marrëveshja është arritur së bashku me autoritetet jordaneze dhe se ajo mbulon një zonë të rëndësishme në Siri, e cila ka efekt në sigurinë e Jordanisë dhe në një pjesë shumë të komplikuar të fushëbetejës siriane.

“Është arritur marrëveshje për formimin e kësaj zone pa konflikt dhe është përcaktuar mirë se kush do të garantojë sigurinë e saj. Është vendosur një armëpushim dhe mendoj se ky është treguesi ynë i parë se SHBA-ja dhe Rusia janë në gjendje të punojnë së bashku në Siri”, tha Tillerson.

Sipas marrëveshjes së arritur nga Uashingtoni dhe Moska, zonat në të cilat aktet agresive janë ndaluar zyrtarisht do të mbulojnë Idlibin dhe disa pjesë të provincave Latakia, Humus, Halep dhe Hama, së bashku me Damaskun, Gutën Lindore, Daran dhe Kuneitran.

Gjatë bisedimeve të ndara të majit në Astanë, Turqia ra dakord me Rusinë dhe Iranin rreth një plani për të krijuar një “rrjet të zonave pa konflikt” në provinca të ndryshme të Sirisë së shkatërruar nga lufta.

Shefi i diplomacisë amerikane u shpreh optimist për suksesin e marrëveshjes; sepse kjo, sipas tij, është ndryshe nga ato të ngjashmet për armëpushim në Siri midis Uashingtonit dhe Moskës, për sa i përket nivelit të angazhimit nga ana e Rusisë.

“Mendoj se Rusia ka të njëjtin interes që kemi edhe ne; që Siria të bëhet një vend i qëndrueshëm, i unifikuar dhe në fund një vend ku mund të lehtësojmë një debat politik për të ardhmen e tij duke përfshirë udhëheqjen e ardhshme të Sirisë”, tha Rex Tillerson.

Ai shtoi se administrata Trump nuk sheh ndonjë rol afatgjatë për familjen e Esad apo regjimin e tij.

“Ende ngelet të përcaktohet se si do të largohet ai”, vijoi Tillerson duke nënvizuar se do të ketë një transicion larg nga regjimi i Esadit.

“Sigurisht që në bisedimet tona me Moskën kemi bërë të qartë se nuk mendojmë që Siria e qeverisur nga Esadi apo familja e tij mund të arrijë njohje ndërkombëtare në të ardhmen. Edhe nëse ata punojnë përmes një procesi të suksesshëm politik, bashkësia ndërkombëtare thjesht nuk do të pranojë një Siri të udhëhequr nga regjimi i Esadit”, deklaroi sekretari amerikan i Shtetit.

Po ashtu, sipas Tillerson, Presidenti Trump dhe Presidenti Putin kanë biseduar për pretendimet rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane vitin e kaluar, me ç’rast shefi i Kremlinit i ka mohuar ato katërçipërisht.

Amani zyrtar njoftoi gjithashtu se SHBA-ja, Rusia dhe Jordania kanë arritur një marrëveshje për vendosjen e armëpushimit në zonat jugperëndimore të Sirisë.



Lajme të ngjashme