Gjermani – Liderët e G20-s me deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit

Liderët e G20-s u zotuan të premten për të shtuar përpjekjet në luftën kundër terrorizmit duke përmirësuar ndarjen e informacioneve, luftuar financimin e terrorizmit dhe propagandën e tij në internet...

766932
Gjermani – Liderët e G20-s me deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit

Liderët e G20-s, grup që përfaqëson 20 ekonomitë më të fuqishme në botë, u zotuan të premten për të shtuar përpjekjet në luftën kundër terrorizmit duke përmirësuar ndarjen e informacioneve, luftuar financimin e terrorizmit dhe propagandën e tij në internet.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në një konferencë shtypi se liderët kanë rënë dakord për bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër terrorizmit, pas një diskutimi të gjatë në samitin e Hamburgut.

“Do të donim të punonim më pranë kornizës së Kombeve të Bashkuara”, u shpreh ajo duke shtuar se bashkëpunimi i tyre do të përqendrohet në luftimin e financimit, e rekrutimit dhe e burimeve ideologjike të terrorizmit.

Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, liderët e G20-s bëjnë thirrje për “forcimin e masave kundër financimit të organizatave ndërkombëtare terroriste, me theks të veçantë mbi DAESH-in, Al-Kaiden dhe bashkëpunëtorët e tyre”.

“S’duhet të ketë në asnjë vend të botës ‘hapësira të sigurta’ për financimin e terrorizmit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të G20-s.

Ata u zotuan gjithashtu që të përmirësojnë shkëmbimin e informacioneve dhe thellojnë bashkëpunimin ndërmjet agjencive të inteligjencës dhe autoriteteve të rendit.

“Ne do të sigurojmë që terroristët të nxirren para drejtësisë”, theksuan liderët.

Deklarata e përbashkët e liderëve të G20-s ndalet gjithashtu mbi luftën kundër luftëtarëve të huaj terroristë, që shkojnë për t’u bërë pjesë e grupeve të ndryshme në zonat e konflikteve.

“Do të ballafaqohemi me kërcënimin e kthimit të luftëtarëve të huaj terroristë nga zonat konfliktuale si Iraku dhe Siria, si dhe do të qëndrojmë të vendosur për të parandaluar rrënjosjen e tyre në vende dhe rajone të tjera të botës”, nënvizohet në deklaratën e sipërcituar.

Në fund, liderët e 20 vendeve më të fuqishme në botë tërheqin vëmendjen mbi rëndësinë e medias, shoqërisë civile, grupeve fetare, sektorit privat, botës së biznesit dhe e institucioneve arsimore në nxitjen e një klime, që ndihmon parandalimin e radikalizimit dhe terrorizmit.



Lajme të ngjashme