Gjermani – Mirë se Vini në Ferr! Samiti i G20-s fillon në hijen e protestave të dhunshme

Samiti i G20-s, ku marrin pjesë liderët e vendeve më të fuqishme të botës, filloi të premten në qytetin Hamburg të Gjermanisë nën hijen e protestave të dhunshme...

Gjermani – Mirë se Vini në Ferr! Samiti i G20-s fillon në hijen e protestave të dhunshme

Siç policia gjermane paralajmëronte prej ditësh, dhuna nuk mungoi në Hamburg, ndërsa udhëheqësit e botës u mblodhën për samitin e radhës të G20-s.

Mijëra njerëz nisën protestën “Mirë se Vini në Ferr” kundër G20-s, të organizuar nga grupe të ndryshme antikapitaliste.

Përplasjet e dhunshme mes demonstruesve dhe policisë kanë vazhduar deri në orët e para të mëngjesit. Protestuesit, shumë prej të cilëve të veshur me të zeza dhe të maskuar, sulmuan policinë me shishe, gurë dhe mjete të tjera rrethanore.

Kurse forcat e rendit janë detyruar të kundërpërgjigjen me topa uji, gaz lotsjellës dhe shkopinj gome për t’i ndaluar turmës marshimin drejt ambienteve ku mbahet samiti.

Më të dhunshmit kanë qenë rreth 1.000 persona të maskuar në radhët e para të demonstratës, të cilët i kanë qëlluar forcat e rendit me kokteje molotovi, gurë e sende të tjera të forta.

Sipas autoriteteve spitalore, 72 policë kanë mbetur të plagosur. Por të lënduarit nuk mungojnë edhe në radhët e protestuesve. 

Për të garantuar sigurinë e samitit të krerëve të vendeve më të rëndësishme të botës janë angazhuar, sipas të dhënave zyrtare, rreth 20.000 forca të sigurisë, 28 helikopterë, 185 qen race të specializuar, 40 autoblinda me topa uji e 3.000 makina policore. Pavarësisht masave të marra nga autoritetet, organizatorët e protestave duken të vendosur t’i vazhdojnë aksionet e tyre deri në përfundim të takimit, mbrëmjen e së shtunës.

Autoritetet gjermane paralajmëruan gjithashtu se e premtja mund të jetë edhe më e nxehtë.

Përleshjet mes policisë dhe protestuesve të shumtë ndodhën vetëm 3 km larg ndërtesës, ku po zhvillohet Samitit i Liderëve të G20-s.

Organizatorët e protestës thanë se pas shpërthimit të dhunës i dhanë fund marshimit, por me mijëra njerëz gjenden ende në rrugë.

Policia deklaroi se për të premten pret rreth 100 mijë protestues nga e gjithë Evropa, të cilët mendojnë se G20-a ka dështuar në zgjidhjen e shumë prej çështjeve, që kërcënojnë paqen në botë.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Wolfgang Schauble, u detyrua të anulojë disa nga programet e tij për shkaqe sigurie, si pasojë e dhunës në Hamburg.

G20-a u formua në vitin 1999. Ajo përbëhet nga 20 ekonomitë më të mëdha në botë dhe zhvillon takimin çdo vit.

Gjatë samitit dyditor, që këtë herë zhvillohet në vendlindjen e Kancelares Angela Merkel, pritet të diskutohet kryesisht për ndryshimet klimatike, por edhe për luftën kundër terrorizmit, ekonominë dhe emigracionin.



Lajme të ngjashme