Woosang: Turqia mund të kontribuojë shumë në paqen e gadishullit korean

Profesori i Shkencave Politike nga Universiteti “Yonsei” i Koresë së Jugut, Kim Woosang tha se Turqia mund të japë një kontribut shumë të madh për paqen në Gadishullin Korean.

Woosang: Turqia mund të kontribuojë shumë në paqen e gadishullit korean

"Turqia duhet të marrë një rol aktiv në platformat ndërkombëtare, veçanërisht ajo duhet ta ngrejë zërin në çështjet që kanë të bëjnë me çarmatimin, çarmatimin bërthamor dhe antiterrorizmin. Ne duam që Turqia të jetë në anën e Koresë së Jugut në platforma të tilla. Unë mendoj se kjo do të ishte një kontribut i madh për paqen në Gadishullin Korean", tha Woosang.

Woosang deklaroi se Koreja e Jugut në Lindjen e Mesme nuk mund të bashkëveprojë me Turqinë për shkak të tensioneve bërthamore që ka me Korenë e Veriut.

"Me Turqinë kemi pika të përbashkëta në rajon, siç janë refugjatët. Në këtë kontekst Koreja e Jugut dhe Turqia mund të bëjnë diçka së bashku. Turqia ka marrë përsipër një rol shumë të rëndësishëm në pranimin e refugjatëve sirianë. Edhe ne kemi pranuar dhe mbështetur një numër të madh refugjatësh nga Koreja e Veriut. Në këtë pikë të dyja vendet mund të ndajnë përvojat e tyre. Pra Turqia dhe Koreja e Jugut mund të veprojnë bashkërisht në shumë projekte mbi të drejtat e njeriut dhe ato mund të jenë një fuqi së bashku. Unë kam bindjen se partneriteti mes këtyre dy fuqive të shkallës mesatare do të ketë ndikim edhe në Lindjen e Mesme”, u shpreh profesori korean.

Woosang tha se superfuqitë si Shtetet e Bashkuara (ShBA) po përpiqen ti frikësojnë dhe ti shndërrojnë në vende vazhdimisht të varura prej tyre fuqitë (shtetet) mesatare, që u dëgjohet fjala jo vetëm në çështjet rajonale, por edhe ato globale dhe që kanë ndërmarrë dhe punojnë për të ndërmarrë role në këtë drejtim.

Koreja e Jugut dhe Turqia mund të marrin rol në shumë çështje, theksoi Woosang dhe e vazhdoi intervistën me fjalët:

"Vende si Turqia, Koreja e Jugut, Australia e Indonezia janë vende me fuqi mesatare. Këto vendet duhet të demonstrojnë se ato janë në gjendje të ndërmarrin rol në kuptimin global, për t’u bërë kështu shembull edhe për vendet e tjera që janë mesatarisht të fuqishme. Shtetet me fuqi mesatare duhet të marrin pjesë në operacionet paqeruajtëse. Për shembull duhet të dërgojnë trupa në këto operacione. Ne kemi shumë burime, por forcën që zotërojmë nuk arrijmë ta përdorim as në problemet rajonale, e as në ato globale”.

Vendet anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik Ndërkontinental (MIKTA), i formuar nga Meksika, Indonezia, Koreja e Jugut, Turqia dhe Australia, duhet të jenë bashkë në samitet botërore si ai i G20-s dhe të ngrenë zërin kundër fuqive që kontrollojnë botën, nënvizoi Woosang, duke rikujtuar edhe një herë rëndësinë e madhe që ka për Korenë e Jugut qëndrimi i Turqisë pranë tyre në emër të vendosjes së paqes në Gadishullin Korean.



Lajme të ngjashme