Juncker: Parlamenti Evropian është krejtësisht qesharak, s’ka seriozitet

Salla thuajse e zbrazur e Parlamentit Evropian në Strasburg e ka detyruar kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, të “xhindoset” dhe të lërë mënjane diplomacinë...

Juncker: Parlamenti Evropian është krejtësisht qesharak, s’ka seriozitet

Salla thuajse e zbrazur e Parlamentit Evropian në Strasburg e ka detyruar kreun e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, të “xhindoset” dhe të lërë mënjane diplomacinë.

Kur e ka parë sallën thuajse bosh, Juncker shpërtheu duke e cilësuar institucionin si joserioz; e vërtetuar kjo, sipas tij, nga prania e vetëm 30 eurodeputetëve, mes tyre edhe Kryeministri i Maltës, Joseph Muscat, ndërkohë PE-ja ka 751 të tillë.

“Parlamenti Evropian është qesharak! Është krejtësisht rezil! I përgëzoj ata që e morën mundimin të vinin deri këtu, por fakti që në këtë debat nuk po marrin pjesë veçse 30 deputetë tregon se çfarë serioziteti ka ky Parlament. Nëse në vend të Muscat-it këtu do të ishte Merkel-i apo Macron-i, salla do të mbushej plot e përplot. Kjo është qesharake”, tha Juncker.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, u përgjigj me jo më pak nervozizëm duke ndërprerë fjalën e kreut të KE-së.

“I nderuar President! Ne s’jemi qesharakë, ju lutem përdorni një gjuhë tjetër. Ju mund ta kritikoni Parlamentin, por nuk është detyra e Komisionit të kontrollojë këtë institucion, është Parlamenti ai që kontrollon Komisionin”, tha ai.

Pas kësaj, Juncker-i e ashpërsoi edhe më shumë tonin duke thënë se nuk do të merrte më pjesë në një seancë të tillë.

“Parlamenti është ai që kontrollon Komisionin, por Parlamenti duhet të respektojë presidencën e radhës, madje edhe të vendeve më të vogla anëtare. Kjo seancë tregon se Parlamenti nuk e bën këtë”, shtoi ai.

Rrallë ndodh që kreu i një institucioni të Bashkimit Evropian të qortojë publikisht kaq ashpër legjitimitetin e një institucioni tjetër të Unionit. Por seancat parlamentare në Strasburg kanë qenë shumë të zbrazëta tani përpara pushimeve të verës.

“As nuk lodhen fare që të duken këtej”, deklaroi gjithashtu një eurodeputet britanik. Sipas tij, disa prej ligjvënësve evropianë i kanë nisur që tani 7 javët e paguara të pushimeve.

Në seancën, që solli zemërimin e Juncker-it, do të kalohej në revistë presidenca gjashtëmujore e Maltës, vendi më i vogël anëtar i bllokut.



Lajme të ngjashme